Afër 10 vite në Gjykatë për një lokal me garazhë

 

Edhe pse kanë kaluar afër 10 vite, Gjykata e Prishtinës nuk i ka dhënë fund problemit të një lokali dhe garazhe në Prishtinë.

Paluajtshmëria që u bë ‘mollë sherri’ mes disa personave gjendet në Prishtinë në rrugën ‘Ismajl Dumoshi’ në Lagjen ‘Vellusha’.

Tapia e lokalit dhe garazhit ende janë në emër të Skënder Kongjelit, mirëpo shfrytëzohet nga pronari i fundit, i cili pretendon se i ka dhënë 435 mijë euro për atë paluajtshmëri.

Në vitin 2008, pronari Skënder Kongjeli ia kishte shitur Amir Azemit nga Ferizaj në vlerën prej 178 mijë e 500 euro, nga kjo shitje Kongjeli kishte marrë vetëm 71 mijë e 500 euro, pjesa tjetër nuk ka arritur ta merr ende.

Amir Azemi ende pa e kthyer borxhin ia kishte shitur lokalin dhe depon Muharrem Kastratit, në shumën prej 435 mijë euro, duke përfshirë edhe disa objekte tjera në këtë çmim. Edhe Azemi pretendon se nuk i ka marrë të gjitha paratë nga Kastrati.

Skënder Kongjeli

Skënder Kongjeli nga Prishtina tash e 10 vite po kërkon drejtësi në gjykatat e Kosovës, por siç po pretendon ai drejtësia vetëm u vonua por edhe aty kur ka vepruar diçka nuk ka zgjidhur asgjë.

“Unë në vitin 2008 një lokal dhe një garazhë ia kam shitur Amir Azemit me çmimin prej 178 mijë e 500 euro por kam marr vetëm 71 mijë e 500 euro dhe Amiri pa e paguar borxhin tim lokalin dhe garazhën ia ka shitur Muharrem Kastratit, i cili që nga koha e blerjes vazhdon t`i shfrytëzoj objektet e mia”, thekson Kongjeli.

Alban Arifi – Avokat i Amir Azemit

Amir Azemi nuk ka pranuar të komentoj rreth blerjes dhe shitjes, por na ka drejtuar te avokati i tij Alban Arifi, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e mohon borxhin që ia ka Skënder Kongjelit.

“Amir Azemi nuk e mohon borxhin që ia ka Skënder Kongjelit, por i njëjti nuk ka arritur ta merr borxhin nga shitja e lokalit te Muharrem Kastrati dhe kjo është arsye pse nuk ia ka paguar pjesën e mbetur Kongjelit dhe pse kemi bërë padi në Gjykatën e Prishtinës për ta realizuar borxhin nga Muharrem Kastrati dhe jemi duke pritur të na thërret Gjykata”, thekson Arifi.

Gjykata e Prishtinës ka konfirmuar për Kallxo.com se Amir Azemi nuk ka lëndë në gjykatë pasi padia e tij llogaritet e tërhequr nga Gjykata.

Muharrem Kastrati pretendon se për lokalin dhe garazhën i ka paguar të gjitha paratë madje atë me një çmim prej 435 mijë euro.

“Në atë që shihet mua edhe gjykata më ka liruar nga padia pasi që unë nuk kam pasur të bëj asgjë me Skënder Kongjelin, unë atë lokal dhe garazhë e kam blerë prej Amir Azemit, i cili ende nuk ma ka përkthyer”, thekson Kastrati.

Gjykata Themelore e Prishtinë pas 9 viteve kishte vendosur për lokalin dhe garazhën duke e njohur borxhin që Amir Azemi ia kishte Skënder Kongjelit, mirëpo nuk ka vendosur se kujt i takon edhe zyrtarisht me letra lokali. Dhe lënda me ankese ka kaluar në Gjykatën e Apelit.

Isak Islami – Përmbarues

Zgjidhjen e problemit personat e përfshirë në atë shit-blerje fillimisht kishin tentuar me anë të miqve e shokëve të përbashkët, por që në fund nuk doli të jetë e suksesshme. Pastaj me një marrëveshje te ndërmjetësuesi i licencuar e cila po ashtu dështoi, qysh ka dështuar edhe puna e zgjidhjes përmes përmbaruesit privat Isak Islami. Islami ka thënë për Kallxo.com se ka kërkuar që ta bëj lirimin e objektit qysh edhe parashihet me ligjet në fuqi.

“Zyra jonë e përmbarimit ka filluar me kompletimin e dokumentacionit për pambarimin në atë pjesë, mirëpo ne nuk e kemi liruar lokalin pasi që shfrytëzuesi i tij ka ushtruar prapësimin në gjykatë dhe tash i mbetet gjykatës me vendos”, tha Islami.

Kongjeli pasi që nuk kishte arritur t`i marrte të gjitha paratë në vitin 2012 iu kishte drejtuar Gjykatës për prishjen e kontratës që e kishte me Azemin. Gjykata e shkallës së parë ka vendosur vetëm në vitin 2019. Dhe lënda tash gjendet në Gjykatën e Apelit me padinë që Kongjeli e ka bërë për lirimin e pronës nga njerëzit dhe sendet.

“Ju njoftojmë se lënda me numër C.nr.1154/12 ku paditës është S. K. dhe të paditur janë A. A. dhe M. K., gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit prej datës 25.07.2019”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykatës me padi, po pretendon se iu ka drejtuar edhe Amir Azemi, mbrojtësi i tij pretendon se ne vitin 2013 e kanë deponuar padinë, por që Gjykata ende nuk i ka thirrur për mbajtjen e seancës. Ata padinë e kanë bërë për kthimin e borxhit nga shfrytëzuesi momental i lokaleve Muharrem Kastrati.

Sot lokali në katin e parë me sipërfaqe prej 200 metra katror dhe garazhi nën lokal në sipërfaqe prej 270 metra katror shfrytëzohen nga familja Muharrem Kastratit.

I mbetet Gjykatës së Apelit në Prishtinë që t`i sqaroj të gjitha rrethanat e këtij lokali apo kush-kujt duhet t`ia kthej borxhin dhe kush duhet të pajiset me dokumentacionin përkatës të asaj paluajtshmërie.