Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Afër 1 milion persona hynë në Kosovë gjatë korrikut

Nga pikat kufitare në Kosovë, bëhet e ditur se kanë hyrë më shumë se 700 mijë persona vetëm në muajin korrik, përderisa nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” gjatë këtij muaji hynë më shumë se 221 mijë persona.

“Gjatë muajit korrik 2021 përmes pikë kalimeve kufitare në Republikën e Kosovës kanë hyrë 760,859 persona”, thanë nga Departamenti i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (DPP) për KALLXO.com.

Shtuar këtij fluksi edhe qytetarët që kanë zgjedhur udhëtimin me aeroplan, del se vetëm brenda këtij muaji, afërsisht 1 milion persona kanë hyrë në Kosovë. Pjesa më e madhe e tyre, janë mërgimtarë.

“Udhëtarë në ardhje brenda korrikut janë 221,729”, thotë për KALLXO.com Valentina Gara zëdhënëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari.

Gjatë këtij muaji, pikat kufitare shpeshherë janë bllokuar dhe janë krijuar kolona të gjata të automjeteve.

Më 31 korrik 2021 Policia e Kosovës kishte kërkuar nga bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë edhe pika të tjera, përpos asaj në Mendarë për arsye të fluksit të madh ardhjeve dhe pritjeve të gjata.