Foto: Denis Sllovinja (3)

AfD-ja, me votimin e mocionit ndaj azilit, dridh Parlamentin gjerman

Parlamenti gjerman është përfshirë në fjalosje dhe akuza fajësie, pasi u shkërmoq “muri i zjarrtë” që ishte ngritur kundër bashkëpunimit me partinë e së djathtës ekstreme – raporton transmetuesi britanik BBC.

Një mocion jodetyrues që bën thirrje për rregulla më të serta të kontrollit kufitar dhe të azilit kaloi me mbështetje të partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gjatë seancës së zjarrtë, politikanë të partive të ndryshme patën kritika dhe fajësuan njëra-tjetrën.

Lideri i konservatorëve të CDU-së, Fiedrich Merz, i cili shtroi planet, i ka mbrojtur si “të domosdoshme”. Por, kancelari socialdemokrat, Olaf Scholz, e qortoi lëvizjen si “gabim të pafalshëm”.

Merzi planifikon të propozojë sot legjislacion – përsëri me mbështetje të AfD-së – me synim të frenimit të numrit të emigrantëve dhe të drejtave të bashkimit familjar.

Por, masat e tij të propozuara zor se do të futen në fuqi para Zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit – dhe nëse po – atëherë do të binin ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Duke iu referuar mbështetjes së AfD-së për mocionin, lideri i CDU-së ka deklaruar në Bundestag se një politikë nuk është e gabuar vetëm pse “e mbështesin njerëzit e gabuar”.

“Sa fëmijë janë bërë viktima të akteve të tilla të dhunës para se ju të besoni se ka një kërcënim për sigurinë dhe rendin publik?” – ka pyetur ai.

Lideri i CDU-së, i cili llogaritet se do të jetë Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, pasi partia e tij prin në anketime, ka ngulmuar gjithashtu se as nuk e ka kërkuar e as nuk e dëshiron përkrahjen e AfD-së.

“Të mendosh se si fraksioni i AfD-së do të gëzohet dhe fytyrat e tyre do të lumturohen, më bën të ndihem në siklet.” – ka deklaruar ai para deputetëve.

Kancelari Scholz – një socialdemokrat koalicioni i të cilit ra vjet – i ka qortuar ashpër veprimet e Merzit.

“Që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë mbi 75 vjet më parë ka pasur gjithmonë konsensus të qartë midis të gjithë demokratëve në Parlamentet tona: ne nuk bëjmë kauzë të përbashkët me të djathtën ekstreme.”

Debati tashmë i tensionuar i Gjermanisë mbi emigracionin është ndezur pas një serie sulmesh fatale, ku të dyshuarit ishin azilkërkues, së fundmi në qytetin Aschaffenburg.

Është kthyer në çështjen qendrore në fushatën për Zgjedhjet – shkaktuar nga prishja e koalicionit qeverisës të Scholzit.

Mocioni i CDU-së i së mërkurës, i mbështetur nga AfD-ja dhe FDP-ja liberale, bën thirrje për “ndalim” të kujtdo që tenton të hyjë në Gjermani pa dokumentet e duhura, por nuk mund të detyrojë Qeverinë aktuale të pakicës të veprojë.

Është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e murit të zjarrit kundër së djathtës ekstreme në kulturën politike gjermane. Përkujtimi i Holokaustit luan një rol themelor në Gjermaninë moderne.

Para votimit të së mërkurës, Bundestagu mbajti përkujtimin e tij vjetor për viktimat e nazistëve, ku 88-vjeçari i mbijetuar i Holokaustit, Roman Schwarzmann iu drejtua Parlamentit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com