Foto: Arkiv

Afati i dytë i testit të maturës, veç gjysma e kalojnë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni (MAShTI), ka njoftuar se 51.3% është kalueshmëria në afatin e dytë të Testit të Maturës.

Këtij afati të dytë i janë nënshtruar 5 mijë e 629 nxënës të klasave të dymbëdhjeta në të gjithë vendin, kurse për shkak të përdorimit të telefonit 41 nxënës janë larguar nga provimi dhe u është anuluar testi.

“Rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë në këtë afat është 51.23%. Prej këtij rezultati, 51.30% është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 58.21% në mësimin në gjuhën boshnjake dhe 34.04 % është kalueshmëria në mësimin në gjuhën turke”, thuhet në njoftim.

MAShTI po ashtu ka bërë të ditur se provimi i mbajtur me 28 gusht është organizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke, në 68 qendra të testimit.

“Në këtë proces kanë qenë të angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e Testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar”, thuhet në njoftimin e  Ministrisë së Arsimit.