Afati i dytë i provimit të Maturës - paraqitja e provimit përmes platformës e-Kosova

Nxënësit të cilët nuk e kanë kaluar provimin e Maturës në afatin e parë, më 22.06.2024, do t’i nënshtrohen këtij provimi në afatin e dytë që do të mbahet më 31.08.2024.

Në afatin e parë të provimit të Maturës, për herë të parë maturantët e kanë paraqitur provimin e Maturës përmes aplikimit online në platformën e-Kosova, në të njëjtën mënyrë duhet ta paraqesin edhe maturantët që do t’i nënshtrohen provimit të Maturës në afatin e dytë.

Paraqitja e provimit të Maturës në platformën e-Kosova është mënyra me të cilën Ministria e Arsimit i sistemon nxënësit në klasë të ndryshme për provimin e Maturës. Para këtij viti, nxënësit e kanë paraqitur provimin e Mautrës fizikisht në shkollë.

Aplikimi online në platformën e-Kosova për ta paraqitur provimin e Maturës për afatin e dytë është i hapur nga data 13.08.2024 deri më 25.08.2024.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zyrtari i lartë për Standarde dhe Vlerësim në Ministri të Arsimit, Fatmir Elezi.

Elezi ka treguar po ashtu se koordinatorët e shkollave do ta konfirmojnë secilin aplikim të paraqitjes së provimit të Maturës të afatit të dytë deri më 26.08.2024.

“Dje është lëshu platforma edhe vazhdon deri më 25.08.2024 nxënësit me apliku (për ta paraqitur provimin e Maturës). Konfirmimin prej koordinatorëve të shkollave e marrim prej 20.08.2024 deri më 26.08.2024” – ka thënë Elezi, më 14.08.2024.

Aplikimi për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova

Në provimin e Maturës, nxënësit kanë katër lëndë, tri prej tyre janë: Gjuha shqipe, Matematika dhe Gjuhë angleze. Kurse, lënda e katërt zgjidhet nga vet nxënësi, e që përfshin njërën nga lëndët tjera të mbetura.

Hapat që duhet të merren për ta paraqitur provimin e Maturës Shtetërore janë si në vijim:

Në rast se nuk keni llogari në platformën e-Kosova, ju duhet ta krijoni atë përmes numrit tuaj të letërnjoftimit dhe të tjera të dhëna që kërkohen gjatë procesit të regjistrimit.

Pasi ta keni krijuar llogarinë tuaj në platformën e-Kosova, e hapni atë dhe ju duhet të klikoni tek opsioni – shërbimet.

Në mesin e shërbimeve që ofrohen nga platforma e-Kosova, keni shërbimin “Arsimi”, të cilin e klikoni dhe ju hapen disa mundësi aplikimi që ofrohen në kuadër të këtij shërbimi.

Ju duhet të klikoni në opsionin “Apliko për paraqitje të provimit të maturës”. Pastaj, ju hapet aplikimi që ju kërkon të dhënat tuaja si në vijim: komunën, shkollën, drejtimin e studimit, lëndën zgjedhore, të cilën e zgjedhni sipas preferencës suaj për t’u vlerësuar në provim.

Në mbledhjen e datës 16.04.2024 të Komisionit parlamentar për Arsim, në të cilën është votuar për procedimin e Projektligjit pёr Provimin e Maturës Shtetërore për lexim të parë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ministrja Nagavci kishte folur për ndryshimet që ishin paraparë me këtë projektligj.

Nagavci kishte njoftuar se janë duke punuar për t’i sistemuar nxënësit që do t’i nënshtrohen provimit të Maturës, në mënyrë që ata të aplikojnë online dhe rezultatet e provimit të mund të printohen në formë certifikate.

“Ajo që po synojmë të bëjmë në provimin e radhës e që nuk i përfshin edhe ndryshimet që janë adresuar në ligj është që kemi filluar pjesërisht digjitalizimin në aspektin e aplikimit online të sistemit të nxënësve dhe për mënyrën se si ata do të vendosen në klasa d.m.th nuk do të jenë të gjithë nxënësit e së njëjtës klasë në një klasë, por do të kemi nxënës të cilët do të shpërndahen në klasa të ndryshme që të mos lejohet të kopjojnë njëri-tjetrin” – kishte treguar Nagavci më 16.04.2024.

Përveç regjistrimit online të nxënësve, Nagavci kishte përmendur edhe certifikimin e rezultateve të nxënësve në provimin e maturës, të cilat do të mund të printohen.

“Po synojmë që rezultatet të bëhen në mënyrë publike, gjegjësisht me printim të certifikatës për maturantët dhe këto janë procese që i kemi fillu e po besoj do t’i finalizojmë në kohën e duhur sepse janë pothuajse në përfundim të punës nga grupi punues” – kishte shtuar Nagavci më 16.04.2024.

Rezultatet e nxënësve në afatin e parë të provimit të Maturës 2024

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), më 01.07.2024, publikoi rezultatet e afatit të parë të provimit të Maturës, të cilit iu nënshtruan 18,285 mijë nxënës të klasave të 12-ta në të gjithë vendin.

Sipas rezultateve të afatit të parë të provimit të Maturës të publikuara nga Ministria e Arsimit, provimin e Maturës e kaluan 13,342 nxënës apo 73.3% e maturantëve.

Ministria e Arsimit njoftoi se arritshmëria mesatare në Gjuhë amtare është 58.8 për qind, në Gjuhë angleze 54.4 për qind, në Matematikë 41.1 për qind dhe në lëndë zgjedhore 47.3 për qind.

“Rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla. Provimi i mbajtur më 22 qershor është organizuar në 151 qendra të testimit. Në këtë proces kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga MASHTI, 1500 administrues dhe 1500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit më 01.07.2024.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka publikuar statistikat e Ministrisë së Arsimit të nxënësve që iu nënshtruan provimit të Maturës ndër vite.

Statistikat tregojnë se më pak nxënës i janë nënshtruar provimit të Maturës shtetërore në Kosovë më 2024 sesa në vitin 2007. Në vitin 2007 provimin e Maturës e mbajtën 18,819 nxënës, ndërsa më 2024 – 18,285 nxënës, që i bie 534 nxënës më pak.

Të gjitha të dhënat e statistikave të Ministrisë së Arsimit për nxënësit që iu nënshtruan provimit të Maturës nga viti 2006 deri më 2024, mund t’i lexoni KËTU.

Pjesëmarrja e nxënësve në provimin e Maturës ndër vite, Grafika: KALLXO.com