Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Afaristi nga Prizreni: Arkat fiskale i kemi blerë më së shtrenjti në rajon

Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit, Nexhmidin Hoti, ka folur për sfidat rreth fiskalizimit të bizneseve.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se Kosova e ka pasur çmimin më të lartë në rajon për pajisje me arka fiskale.

“Në vitet 2009-2010 një arkë fiskale është paguar 630 euro. Në Maqedoni të Veriut është 293 euro sot, në Serbi 200 euro. Po e kalojmë atë çmim, kemi qenë të obliguar me e marrë. Po vjen servisimi, që e quaj ditëlindja e arkës, kemi paguar 99 euro, pastaj tek operatori 114 euro riaktivizimi, pastaj mbyllja 144 euro. Pastaj arka nuk mund të shitet sepse s’ka software, për me u ndërru kushton 200 euro, a po e shihni sa i rëndon kjo zanatlinjtë dhe afaristët”, tha ai.

“Këta asgjë nuk kanë humbur, vetëm ne. Ne e kemi bërë pagesën. Atë milionëshin, ato modulet ne i kemi paguar, për atë e kemi pasur çmimin më të lartë në rajon. Arsyetimet se s’jemi të njohur nga shtetet tjera, për ne kurrgjë nuk po luan rol”, shtoi ai.

Ndërkaq, Edip Gashi nga kompania “Enternet”, e licencuar për shitjen e arkave fiskale, tha se ato nuk duhet të shihen si një pajisje e thjeshtë teknologjike.

“Kjo për shkak se ka një memorie që deri më tash, prej 2010 nuk ka pasur mundësinë askush ta hakojë, pasi e ka sigurinë shumë të lartë. Të gjitha këto e bëjnë një pajisje teknologjike pak më të shtrenjtë në çmim se pajisjet e tjera”, u shpreh ai.

Në Kosovë janë katër kompani të licencuara për shitjen e pajisjeve fiskale.

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” diskutohet për reformën fiskale në Kosovë, gjegjësisht obligimin e bizneseve për t’u pajisur me arka fiskale ndër vite.

Udhëzimi i ri administrativ për arkat fiskale është iniciuar nga Ministria e Financave në krye me ministrin Hekuran Murati.

Të ftuar në debat janë: Rexhep Krasniqi, udhëheqës i Divizionit për Arka Fiskale në ATK, Edip Gashi nga Kompania “Enternet” i licencuar për shitjen e arkave, Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve dhe Nexhmedin Hoti, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit.

Në debat janë ftuar edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, por të njëjtit nuk kanë pranuar të marrin pjesë.