Aeroporti vazhdon punën

Përkundër grevës së punëtorëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është duke vazhduar punën, thonë zyrtarë të Aeroportit.

“Mirësisht informojmë udhëtarët tanë se ANP ‘Adem Jashari’ nuk ka mbyllur operimet, por vazhdon të procesojë të gjitha fluturimet dhe udhetarët”, tha Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit.

Më herët KALLXO.com raportoi se 9 punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë suspenduar gjatë ditës së djeshme.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit, Bashkim Latifi.

Ai ka thënë se suspendimi i punëtorëve është bërë nën arsyetimin se ata janë solidarizuar me grevën e punëtorëve të Aeroportit e cila sot ka hyrë në ditën e tretë.

Tutje kryetari tha edhe se më shumë se 80% e punëtorëve janë në grevë.

Ai nuk dha detaje nëse do të ketë veprime të tjera nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Punëtorët e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” që nga dita e hënë janë në grevë. Disa nga kërkesat e tyre është pagesa e rrezikshmërisë, rritja e pagës, mos-dallimi në paga të punëtorëve pagesa e një shujte ushqimi në ditë.

Sipas kryetarit Latifi, këto kërkesa duhet të realizohen.