Ilustrim

Aeroporti i Prishtinës: Nuk ka kufizime në pranimin e udhëtarëve

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar se nuk ka kufizime në pranimin e udhëtarëve pavarësisht nacionalitetit të tyre.

“Porti i vetëm ajror i Republikës së Kosovës, vazhdon të funksionoj me të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe vazhdon të pranoj udhëtarët si me shtetësi Kosovare, po ashtu edhe udhëtarët ndërkombëtar (me dokumentacion të huaj)”, thuhet në njoftimin e Aeroportit.

Përmes këtij njoftimi, Aeroporti i Prishtinës ka lutur që për shkak të tollovisë që po shkaktohet, udhëtarët të përcillen vetëm nga një i afërm.

“Për më tej, lusim të gjithë ata që presin dhe përcjellin familjarë në aeroport, të paraqiten vetëm një nga të afërmit, meqenëse po shkaktohet tollovi në hyrje dhe po ashtu në dalje të terminalit, duke penguar në këtë mënyrë mbarëvajtjen e operimeve”, përfundon njoftimi.

Nga sot ka rifilluar operimi i plotë i fluturimeve të rregullta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo pasi që Qeveria ditë më parë mori vendim që nga data 28 qershor të rihapet aeroporti i Prishtinës. Megjithatë, janë disa rregulla dhe rekomandime që udhëtarët duhet t’u përmbahen.