Ilustrim

Aeroporti i Prishtinës: Nuk ka fluturime deri më 27 qershor

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka njoftuar qytetarët se deri më 27 qershor do të vlejë ndalesa për fluturime.

“Sipas njoftimit të ri të autoriteteve relevante shtetërore, ju njoftojmë se trafiku ajror akoma mbetet në gjendjen e njëjtë me ndalesë deri më datë 27 Qershor 2020,me mundësi ndryshimi në çdo kohë për vazhdim apo largim të ndalesës”, thuhet në njoftimin e ANP-së.

Duke marrë parasysh ankesat e shumta të qytetarëve në reagimin e tyre, ANP ka sugjeruar qytetarët që ankesat t’i drejtojnë te Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, është autoriteti përkatës, që vendos për datën e lejimit të të gjitha fluturimeve, si në ardhje poashtu edhe në nisje, andaj ju lusim të adresoni pyetjet/kërkesat si dhe shqetësimet tuaja në adresë të tyre dhe jo te ne”, thuhet tutje në reagim.

Tutje në reagim, ANP ka theksuar se janë të gatshëm për rifillimin e fluturimeve në momentin që qeveria e Kosovës lejon një gjë të tillë.

“Ritheksojmë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ LKIA  është i gatshëm të procesoj të gjitha fluturimet si në ardhje poashtu edhe në nisje me të gjitha kapacitetet e plota. Ne, bashkë me ju, jemi në pritje të lejimit të funksionimit të plotë të fluturimeve për/në ANP ‘Adem Jashari’, prandaj kërkojmë mirëkuptimin tuaj deri në informacionin e ardhshëm”.