Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Adrijana Hoxhiq: S’kam pasur marrëveshje me Listën Serbe që të votohem nga serbët e Kosovës

Adrijana Hoxhiq dhe lista e saj “Komuniteti i Bashkuar” ka fituar zgjedhjet brenda komunitetit boshnjak.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit ka marrë 6 mijë e 379 vota, mirëpo më shumë se gjysma e votave për të kanë ardhur në 4 komunat veriore.

Kundërshtarët politikë të Hoxhiqit pretendojnë se ka pasur një marrëveshje mes Listës Serbe dhe IniciativëS së Hoxhiqit që të votohet kjo e fundit.

Në një intervistë të gjatë për KALLXO.com, Hoxhiq thotë se nuk ka marrëveshje me Listën Serbe.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka pasur marrëveshje mes meje dhe Listës Serbe. Këtë ua garantoj me siguri totale. Nuk e di kur jam takuar për herë të fundit me Goran Rakiqin, me siguri sa ka qenë ministër, ndoshta kemi pasur ndonjë bashkëpunim Komuna dhe z.Rakiq. Mos harroni se kryetar në këtë komunë është personi i cili i takon Listës Serbe dhe për mua është e domosdoshme të bashkëpunoj me personat që janë në këtë komunë”, tha ajo në KALLXO.com.

“Secila votë që e kam marrë, prej 6,379 vota, secila është për shkak të besimin në programin tim, asnjë nuk është e blerë dhe asnjë nuk është më presion të askujt”, shtoi Hoxhiq.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Hoxhiq tashmë ka siguruar një ulëse nga 3 sa i takojnë komunitetit boshnjak.

E pyetur se në cilin grup parlamentar do të rreshtohet, ajo thotë se fillimisht do të bisedoj me deputetët e tjerë të komunitetit boshnjak.

“Unë së pari do të ulem dhe të bisedoj me deputetët e tjerë të komunitetit boshnjak dhe jam e bindur që ne mund të ulemi bashkë dhe bashkërisht të arrijmë qëllimet për komunitetin boshnjak. U kry nepotizmi dhe politikat që t’i përkrahin njërën apo tjetrën anë. Kjo ka vdekur. Ne kemi probleme të mjaftueshme për komunitetin tonë dhe duhet të punojmë edhe për interesin e komunitetin tonë”, tha Hoxhiq.

“Jo, me siguri jo”, tha ajo kur u pyet nëse do të jetë pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.