Adriana Matoshi në filmin "Zana"

Adriana Matoshi zgjedhet aktorja më e mirë e festivalit ‘Fantaspoa’ në Brazil

Aktorja Adriana Matoshi është zgjedhur aktorja më e mirë në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Fantaspoa” në Brazil.

Këtë çmim Matoshi e mori për rolin e saj (Lumja) në filmin “Zana” me regji të Antoneta Kastratit.

Festivali “Fantaspoa” është mbajtur nga 24 korrik deri më 2 gusht në Porto Alegre të Brazilit. Ndërsa për shkak të situatës me COVID-19, filmat e këtij edicionit, të XVI-it me radhë janë shfaqur në mënyrë virtuale.

Lajmi për suksesin e filmit “Zana” në këtë festival dhe marrjen e çmimit “Aktorja më e mirë” e këtij festivali është bërë i ditur nga regjisorja, Antoneta Kastrati.

“Adriana Matoshi ka fituar çmimin ‘Aktorja më e mirë’ në konkurrencën zyrtare ndërkombëtare në ‘Fantaspoa’ në Brazil për rolin e Lumes në filmin ‘Zana’. Jeni një aktore e mrekullueshme, ndihem me fat që pata rastin të punoj me ty”, ka shkruar regjisorja Antoneta Kastrati.

“Fantaspoa” është festivali më i madh i filmave të zhanrit fantastik (fantazi, fiction shkencor, tmerri dhe thriller) në Amerikën Latine. Në Edicionin e 16-të të këtij festivali janë shfaqur më shumë se 100 filma nga 35 vendet të ndryshme të botës.

Festivali “Fantaspoa” është themeluar në 2005 dhe mbahet në Porto Alegre të Brazilit. Këtë vit për shkak të coronavirusit festivali është mbajtur virtualisht, në platformën Streaming Streaming Darkflix.