Adriana Hoxhiq, dorëzon ankesë në Gjykatën Supreme

Adriana Hoxhiq nga subjekti politik ‘Ujedinjena Zajednica’ ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), për anulimin e votave të saj.

Hoxhiq tha se kanë dorëzuar ankesë në këtë gjykatë pas vendimit të PZAP-së të cilin e quajti skandaloz.

“Ne sapo e dorëzuam ankesën në Gjykatën Supreme. Vendimi i djeshëm i PZAP-së është skandaloz, i papranueshëm, sepse i shkel të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë sipas vullnetit”, tha ajo.

Hoxhiq tha se vendimi i djeshëm është sfidë për Qeverinë e Kosovës, për institucionet e Kosovës dhe sipas saj me përgjigjen që e marrin nga Gjykata Supreme do ta shohin a është Kosova shtet ligjor apo është shtet jo ligjor.

“Do të shkojmë deri në fund do t’i shfrytëzojmë gjitha institucionet dhe resurset që i kemi brenda Kosovës dhe nëse kjo nuk jep rezultate ku do të respektohet e drejta e njeriut për të votuar sipas vullnetit do të shkojmë edhe më tutje do t’i shfrytëzojmë edhe mekanizmat e institucioneve jashtë vendit”, tha ajo.