Kandidatja e PDK-së Adonjeta Zymberi- Selmani. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Adonjeta Zymberi (PDK): Digjitalizim të shkollave dhe 25 milionë euro bursa për studentët

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në programin e saj zgjedhor ka paraparë disa projekte edhe për fushën e arsimit.

Kandidatja për deputete nga kjo parti, Adonjeta Zymberi, deri sa tha se “në programin e tyre e gjejnë vetën të gjithë qytetarët e Kosovës”, përmendi edhe planin për subvencionimin e familjeve që i kanë fëmijët të regjistruar në çerdhet private.

“Pagesa 100 euro në muaj për secilën familje që do t’i regjistroj fëmijët në çerdhet privat, për shkak së çerdhet publike nuk janë të mjaftueshme dhe shpesh nuk kemi hapësirë që t’i regjistrojmë fëmijët në këto çerdhe”- tha Zymberi në “Debat Përnime”, më 25.01.2025.

Një politikë e tillë, sipas saj, do të ndihmojë edhe angazhimin e grave në tregun e punës.

Reformë tjetër që pritet të bëhet në arsim me “ardhjen e PDK-së në pushtet” është edhe digjitalizimi i teksteve shkollore si dhe pajisja e mësimdhënësve dhe nxënësve me llaptopë.

“Digjitalizim i arsimit fillor dhe të mesëm- këtu hynë tekstet digjitale që janë shumë më interaktive. Do të ketë llaptopë për nxënës dhe mësimdhënës”- tha ajo.

Në programin e PDK-së, është menduar edhe për studentët.

Kjo parti ka paraparë 25 milionë euro bursa me qëllim të mbështetjes së tyre.

Ndër të tjera, kandidatja për deputete, Zymberi, përmendi edhe investimet tjera që kanë planifikuar në fushën e kulturës në gjithë Kosovën.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.

Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

Investime kapitale miliardëshe dhe lehtësira tatimore për bizneset: Plani i PDK-së për zhvillimin ekonomik