Adnan Rrustemi, KQZ

Adnan Rrustemi: Vendimi i sotëm i PZAP heshti çdo parim e dispozitë ligjore

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Adnan Rrustemi, ka reaguar pas vendimit të PZAP-së për rinumërimin e afër 1.500 vendvotimeve si dhe shpalljen të pavlefshme të votave të ardhura nga Serbia.

Sipas Rrustemit, vendimi i sotëm i PZAP-së hesht çdo parim e dispozitë ligjore.

“Kam menduar që PZAP nuk mundet me më befasu më shumë, por jo. Vendimet e sotme që veç ligjore e juridike nuk janë, heshti çdo parim e dispozitë ligjore. Vendime politike, pa asnjë bazë e pa asnjë hetim e verifikim në QNR, që kthejnë mbrapsht gjithçka”, ka shkruar Rrustemi.

Tutje Rrustemi ka theksuar se VV-ja vazhdimisht e ka kundërshtuar mënyrën e regjistrimit të votave nga Serbia.

“Për tri vota të pavlefshme, PZAP ka shkuar në QNR dhe ka hetuar gjithë ditën, kurse për rreth 1500 kuti dhe largimin nga rezultati të disa votave, nuk kanë marrë as mundin që të vizitojnë QNR-në. Ne vazhdimisht kemi kundërshtuar mënyrën e regjistrimit e votimit nga Serbia. Madje kur të tjerët miratonin, unë kam bërë ankesa në PZAP e deri në Gjykatën Kushtetuese – të gjitha i refuzonin, sepse nuk ju duhej për aranzhmane politike të këtij lloji, por ju duheshin edhe për ta votuar Qeverinë. Tani u kujtuan që t’i heqin votat nga Serbia, mirë shumë. Por çfarë do të bëjnë me vendimet e tyre të mëparshme, të kundërta më këtë e për të njëjtën çështje”, shton ai.

Sipas tij vendime të tilla janë goditje ndaj vullnetit të votuesve. “Intenca për ta dëmtuar e devalvuar procesin zgjedhor, janë akti më antikushtetues ndaj demokracisë. E sendërtimi i rezultateve zgjedhore, me vendime politike: hiq një copë aty, e vendos këtu, janë goditje ndaj vullnetit të votuesve”, tha ai.

Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka njoftuar se e ka pranuar si të bazuar ankesën e koalicionit Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.

PZAP gjithashtu vendosi edhe për rinumërimin e 1 mijë e 472 vendvotimeve.

“PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhëroj KQZ-në, për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Pas rezultateve të zgjedhjeve, ky është rrugëtimi deri në krijimin e Qeverisë së re