Rektorati

foto; Denis Sllovinja

Admovere: Vendim i duhur dërgimi i Kastratit në Këshill të Etikës

Organizata Admovere e ka cilësuar si të duhur vendimin e Universitetit të Prishtinës që e ka dërguar në Këshill të Etikës, profesor asistentin e Fakultetit Filozofik, Ardian Kastrati.

“Vendimi i Rektoratit të Universitetit të Prishtinë (UP) që rastin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, ta deponojë për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës, për shkak të gjuhës seksiste të përdorur, është vendimi më i duhur që do të mund të merrej. Ky hap nga ana e rektorit të UP-së, z. Naser Sahiti, është i pari i këtij lloji dhe paraqet progres në trajtimin e rasteve të tilla”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata po ashtu kanë deklaruar se shpresojnë që tani e tutje Këshilli i Etikës t’i trajtojë më me seriozitet rastet të cilat deponohen në këtë Këshill.

“Sepse, jemi dëshmitarë që jo gjithmonë vendimet e këtij Këshilli janë marrë përkitazi me detyrat që i ka. Rikujtojmë që Admovere ka përcjellë punën e Këshillit të Etikës përgjatë viteve dhe gjetjet kanë qenë shqetësuese”, thuhet më tej.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar sot se ka dërguar në Këshillin e Etikës, Kastratin, për gjuhën e përdorur në postimin e tij në Facebook ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente e Kosovës.

Reagimi i plotë i tyre:

Vendimi i Rektoratit të Universitetit të Prishtinë (UP) që rastin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, ta deponojë për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës, për shkak të gjuhës seksiste të përdorur, është vendimi më i duhur që do të mund të merrej. Ky hap nga ana e rektorit të UP-së, z. Naser Sahiti, është i pari i këtij lloji dhe paraqet progres në trajtimin e rasteve të tilla.

Shpresojmë që këtij rasti t’i shkohet deri në fund, duke respektuar aktet normative të UP-së. Gjithashtu, shpresojmë që tani e tutje Këshilli i Etikës t’i trajtojë më me seriozitet rastet të cilat deponohen në këtë Këshill. Sepse, jemi dëshmitarë që jo gjithmonë vendimet e këtij Këshilli janë marrë përkitazi me detyrat që i ka. Rikujtojmë që Admovere ka përcjellë punën e Këshillit të Etikës përgjatë viteve dhe gjetjet kanë qenë shqetësuese.

Ta zëmë, përgjatë viteve 2017 – 2019 në këtë Këshill janë raportuar 49 raste të shkeljeve të natyrave të ndryshme, si keqpërdorim i pozitës, plagjiate e falsifikime të autorësisë, kontrata të dyfishta, mosrespektim i kontratës së punës, avancime akademike të dyshimta, si dhe disa raste, ndonëse të rralla, të ngacmimeve seksuale, këcënimeve apo incidenteve fizike. Por, vetëm për tri sosh janë ndërmarrë procedura disiplinuese: dy vërejtje me shkrim dhe një vërejtje me gojë, të cilat janë masat më të lehta që parasheh Rregullorja për Masat dhe Procedurat Diciplinore të Personelit Akademik të UP-së.

Pra, siç edhe mund të shihet, për asnjë nga rastet e sipërpërmendura Këshilli i Etikës nuk ka ndërmarrë masat disiplinuese që parashihen në Rregullore, e që janë: ndalja e mëditjes, mohimi i përfshirjes në komisione vlerësuese apo mentorim, degradimi i pozitës, ndalimi i avancimit, ulja e gradës akademike apo edhe e thirrjes akademike, dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës. Sidoqoftë, Admovere inkurajon të gjitha palët e interesit në UP (studentët, stafin akademik, stafin administrativ), por edhe mekanizmat jashtë institucionit (organizata joqeveritare që kanë në fokus UP-në) që rastet e shkeljeve të Kodit të Etikës t’i deponojnë në Këshillin e Etikës. Ndërsa, për Rektoratin dhe Këshillin e Etikës ripërsërisim kërkesën tonë: rastet që paraqiten në këtë Këshill të bëhen publike, bashkë me vendimet e Këshillit për ato raste, të cilat duhet të merren brenda një periudhe të arsyeshme kohore dhe të jenë të arsyetuara mirë.

ADMOVERE

8 prill 2021

Prishtinë