Prezantimi i hulumtimit nga 'ADMOVERE': Fotografi:KALLXO.com

Admovere: Politikat e arsimit të lartë në Kosovë për komunitetet jo-shumicë nuk iu përshtaten nevojave të tyre

Organizata jo-qeveritare për drejtësi tranzicionale dhe edukim “ADMOVERE” përmes një hulumtimi ka nxjerrë në pah mangësitë e politikave të arsimit të lartë për komunitetet jo-shumicë në Kosovë.

Sipas gjetjeve në këtë hulumtim, pavarësisht përcaktimeve kushtuese, ligjore dhe nënligjore mbi garancinë e gjuhës së komuniteteve në jetën publike dhe në arsim në nivel të arsimit  të lartë, nuk ka politika konkrete të ndjekur nga Universiteti i Prishtinës për trajtimin e rasteve me vështirësi gjuhësore.

Aulona Memeti autore dhe hulumtuese nga ‘ADMOVERE’ tha se në 13 njësitë akademike çështja e gjuhës nuk trajtohet më shumë se përkthimi i provimit pranues dhe udhëzimit që studentët e komuniteteve jo-shumicë të komunikojnë me kolegë të komunitetit shumicë.

“Kushtet ekonomike dhe gjuha janë disa ndër faktorët kryesorë të ankesave nga studentët, ndërsa për komunitetin serb shkaqet politike” tha Memeti gjatë prezantimit të hulumtimit.

Në vitin 2016, me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ, aplikimi i masave afirmative dhe vendeve të rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet jo-shumicë, institucionet publike të Arsimit të Lartë përcaktoi kuotën prej 12% të numrit të përgjithshëm të studentëve për pranim, sipas konkursit në çdo njësi akademike.

Në bazë të hulumtimit gjatë 12 viteve, prej mbas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës asnjëherë nuk janë plotësuar vendet e rezervuara me shumë se 50%.

“Ky plotësim ndodhë vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, kurse fakultetet tjera nuk i kanë plotësuar as 26% të vendeve të rezervuara për studentët e komuniteteve jo-shumicë” thuhet në raport.

Ndërsa sipas raportit, vetëm gjatë periudhës 2008-2020 në të gjitha fakultetet e UP-së janë paraparë 5 mijë e 372 vende për komunitete jo-shumicë dhe se pavarësisht këtij janë plotësuar vetëm me 990 studentë të pranuar nga këto komunitete.

Nga hulumtimi për 12 vite është gjetur  se vetëm 237 kanë diplomuar nga 990 të pranuarit.

119 kanë diplomuar nga komuniteti turk, 92 nga komuniteti boshnjak ndërsa nga komuniteti kroat dy. Ndërsa më së pakti nga komunitetit goran me vetëm një të diplomuar.

Kurse vendet e rezervuara për këto vite janë plotësuar nga këto komunitete  50.36% në Fakultetin e Mjekësisë, 25.79% në Fakultetin Filologjik dhe 25.21% në Fakultetin Filozofik.

Sipas Fitore Metbala, autore dhe hulumtuese nga ‘ADMOVERE’ arsyeja e interesimit më të madh në Fakultetin Filologjik është për shkak të interesimit për gjuhët: angleze, turke, gjermane dhe drejtimin e orientalistikës.

Sipas Memetit,  për 12 vite vetëm një student i komunitetit serb ka studiuar në UP.

Bazuar në gjetje e raportit, problem tjetër është që njësitë akademike nuk kanë sistem të mbajtjes së të dhënave që do të mund të përcaktonte shkallën e braktisjes së studimeve nga komunitetet jo-shumicë në veçanti e as të studentëve në përgjithësi.

“Mungon një sistem i unifikuar për të gjitha fakultetet. Politikat duhet të i përshtaten nevojave” tha Memeti.

Ndërsa sa i përket bursave për studentë të komuniteteve jo-shumicë, njësitë akademike  nuk kanë kompetenca dhe linjë buxhetore që do t’u mundësonte të kishin një skemë që mbështet komunitetet me vështirësi ekonomike.

Përderisa kuota prej 12% vlen edhe për konvikte, sipas gjetjeve, nga viti 2008 deri në vitin 2020 mbi 900 studentë të komuniteteve jo-shumicë janë vendosur në konvikte.

Mungesa e qasjes në të dhëna për testimin e coronavirusit nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian dhe pjesëmarrja e ulët e fëmijëve të pakicave në programet online të mësimit në distancë ishin dy nga gjetjet kryesore të një raporti të publikuar nga organizata ‘ADMOVERE’ në korrik të këtij viti.

Raporti detajizoi vështirësitë me të cilat përballen këto tre komunitete në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19 dhe efektet e vendimeve që u morën për parandalimin e  përhapjes së virusit dhe për të siguruar mbështetje financiare për qytetarët në komunat: Ferizaj, Fushë Kosovë dhe Lipjan, zona ku banojnë shumica e anëtarëve të këtyre tre komuniteteve.