Homazhe për Oliver Ivanoviqin - Foto: BIRN/ EPA-EFE
Administratorja e partisë së Oliver Ivanoviqit pjesë e grupit që dyshohet për vrasjen e tij
Një version i ndryshuar i aktakuzës për çështjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqt, të cilën tashmë BIRN e ka parë, akuzon administratoren e partisë së tij politike, Silvana Arsoviq, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal që qëndron pas vrasjes.
Arsoviq akuzohet, si personi i vetëm i pranishëm në zyrën e partisë politike të Ivanoviqit në qytetin e Mitrovicës kur ai u qëllua për vdekje jashtë ndërtesës në janar 2018, se ka shkëputur energjinë elektrike në mënyrë që kamerat të mos funksionin në momentin që ai u vra.
“Kjo lejoi që të dyshuarit të mos filmoheshin nga kamerat kur kryenin vrasjen, ndërsa menjëherë pas vrasjes, ajo aktivizoi kamerat në zyrat e partisë”, pretendon aktakuza.
Arsoviq i ka mohuar vazhdimisht akuzat.
Aktakuza fillestare përmendi Nedeljko Spasojeviq, Marko Rosiq, Rade Basara, Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq si anëtarë të grupit të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Ivanoviçit.
Radoiçiq dhe Veselinoviq, të dy serbë të njohur të Kosovës, akuzohen se janë udhëheqësit e grupit. Ata të dy kanë ikur në Serbi për të shmangur arrestimin dhe e kanë mohuar keqbërjen.
Spasojeviq dhe Basara ishin oficerë të policisë së Kosovës para se të arrestoheshin.
Aktakuza e ndryshuar ende nuk e përmend personin ose personat që kryen sulmin me armë ndaj Ivanoviqit.
Arsoviq ishte akuzuar për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit në aktakuzën fillestare, por jo si pjesë e grupit kriminal.
Ajo duhet të dilte në gjyq së bashku me Spasojeviqin, Rosiqin, Pasaran dhe dy ish-policë të tjerë serbë të Kosovës, Dragisa Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në fund të dhjetorit.
Por seanca e parë u shty deri në shkurt për t’i dhënë avokatëve mbrojtës kohë për të studiuar aktakuzën e ndryshuar.
Para vrasjes së tij, Ivanoviq, i cili dikur shihej si një nacionalist i ashpër, kishte evoluar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës etnike shqiptare.
Ai gjithashtu ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.
Në kohën e vdekjes së tij, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në 1999. Ai kishte pretenduar pafajësi.