Administratori i Gjykatës në Deçan shihet në disa fotografi me kryetarin Bashkim Ramosaj dhe Ramush Haradinajn

KALLXO.com ka pranuar disa fotografi ku shihet kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, si dhe administratori i Gjykatës në Deçan, Armend Tolaj.

Në mesin e disa fotografive ishte edhe lideri i partisë së AAK, Ramush Haradinaj.

Administratori i gjykatës, Armend Tolaj, në një bisedë për KALLXO.com e ka pranuar të këtë qenë në atë fotografi.

Tolaj fotografitë i arsyetoi me atë se kryetarin Ramosaj e ka mik të mirë qysh para se ai të bëhet kryetar i Komunës së Deçanit.

“Me Bashkimin jam rrit me të e kam shok prej studimeve edhe ai e ka jetën me politikë unë jetën teme, nuk përzihemi mes vete në asnjë mënyrë veçse e kam shok të shpirtit, është nipash i jemi”, tha Tolaj.

Ndërsa kur u pyet për foton me disa persona ku në mesin e tyre është edhe Ramush Haradinaj ai tha se atë vetëm rastësisht mundet ta takojë ndonjëherë në bjeshkë.

“Me Ramushin kurrfarë lidhje, veç kur na nxë puna ndonjëherë me Bashkimin në bjeshkë, se unë dal me ec shumë shpesh andej, kështu që nuk kemi asnjë lidhje politike apo tjetër”, shtoi ai.

“Punët i kemi të ndame, nuk mundet fakti që Bashkimi është në politikë mos me ndejtë me të”, tha Tolaj për fund.

KALLXO.com dje ka publikuar edhe fotografi të kryetarit të Deçanit më një gjykatës në Gjykatën e Deçanit.

Ramush Haradinaj në kafe me gjykatësin nga Deçani – FOTO

Sipas burimeve të KALLXO.com, Komuna që e udhëheq Ramosaj është paditur nga mësimdhënësit në Gjykatën në Deçan.