Presidenti Donald Trump gjatë konferencës në Florida.

Administrata Trump e informon Joe Bidenin se është e gatshme të fillojë tranzicionin

Administrata e presidentit Donald Trump e ka informuar presidentin e zgjedhur, Joe Biden, se është e gatshme të fillojë procesin e tranzicionit, raporton CNN, duke cituar një letër të administratores së Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme, Emily Murphy, drejtuar ekipit të presidentit të zgjedhur.

Kjo letër është hapi i parë se administrata e ka pranuar disfatën e presidentit Donald Trump, më shumë se dy javë nga dita kur Joe Biden u shpall fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Letra, e cila ekipit të presidentit të zgjedhur Joe Biden i është dërguar të hënën pasdite, vjen pas kërkesave të ish-zyrtarëve të Partisë Republikane, të cilët kërkonin nga partia ta detyronin presidentin Trump ta pranonte disfatën.

Po ashtu, ky pranim i fitores së Bidenit vjen pas certifikimit të rezultateve në Miçigen, të cilat ishin kontestuar nga Trump dhe i cili shpresonte në përmbysje të rezultatit me rinumërimin e votave në këtë shtet dhe në pak shtete të tjera.