Administrata Tatimore e Kosovës inkasoi 591 milionë euro të hyra në vitin 2021

591 milionë euro është shuma që Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka inkasuar të hyra në vitin 2021.

Përmes një konference për media, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se si institucion janë angazhuar që krahas vazhdimit të reformave, të rriten edhe të hyrat.

“Për mua si drejtor është një përgjegjësi shtesë që nga ne të kërkohet vetëm zbatimi i ligjit. Ne si institucion jemi angazhuar që krahas vazhdimit të reformave të brendshme, të vazhdojmë edhe rritjen e të hyrave. Reformimi i mbledhjes së borxheve është një nga reformat më të mëdha që janë bërë në ATK”, tha Murtezaj.

Sipas ATK-së, të hyrat vjetore në vitin 2020 ishin 467 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 ishin 504.3 milionë euro.

Në vitin 2021, ATK-ja ka inkasuar borxhe me vlerë 130 milionë euro. Në vitin 2020, 97.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 janë inkasuar 103.5 milionë euro borxhe.

Ilir Murtezaj tha se gjatë këtyre ditëve, ATK-ja është në proces të sistemit të ri të IT-së.

“Kemi pranuar tre module, që kanë të bëjnë me faturën elektronike. Gjithashtu, kemi ofruar lehtësime për tatimpaguesit përmes shërbimeve elektronike”, tha ndër të tjera Murtezaj.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati tha se si Qeveri janë të kënaqur me punën e ATK-së. Por ai tha se ka sfida dhe synime që në vitin 2022 duhet të arrihen.

“Mund të konsiderojmë se është një vit i suksesshëm. Një performancë e tillë e ATK-së i mundëson Qeverisë të hyra më shumë, por që sfidë gjithashtu mbetet formalizimi i ekonomisë, apo deklarimi dhe përmbushja e detyrave të bizneseve”, tha ndër të tjera Murati.

Ministri i Financave gjithashtu deklaroi se si Qeveri janë të interesuar, siç tha ai, sigurimi i integritetit të ATK-së.

Sipas Raportit, Administrata Tatimore e Kosovës në vitin 2021 ka kryer 68 aktivitete për shmangie tatimore; 3 bastisje; 58 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore; 34 raporte të kallëzimit penal; 27 raporte finale hetuese dhe 11 aksione të përbashkëta me institucione tjera të zbatimit të ligjit.