Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump
Administrata e Trump nuk e pranon votën e Kongresit për ‘gjenocidin’ në Armeni
Administrata e Donald Trump ka thënë se nuk i konsideron si gjenocid vrasjet masive të Armenëve në vitin 1915, duke hedhur poshtë votat e senatit dhe kongresit në Shtetet e Bashkuara, raporton BBC.
Javën e kaluar votat e Senatit dhe Kongresit zemëruan Turqinë, e cila gjithmonë ka mohuar se vrasjet kapnin shifrat e një gjenocidi. Ministria e Jashtme e Turqisë të premten ftoi ambasadorin amerikan për të shprehur zemërimin në lidhje me votën, duke e akuzuar Amerikën për “politizim të historisë”.
Armenia thotë se janë vrarë 1.5 milionë njerëz në përpjekje për shfarosje të grupit etnik.
Vrasjet ndodhën në rënien e Perandorisë Osmane, duke paraprirë Turqinë moderne.
“Qëndrimi i Administratës nuk ka ndryshuar,” tha sekretarja e departamentit të shtetit Morgan Ortagus në një deklaratë të martën. “Pikëpamjet tona pasqyrohen në deklaratën përfundimtare të Presidentit për këtë çështje nga prilli i kaluar,” tha ajo.
Në një deklaratë në Prill në përvjetorin e vrasjeve, Trump tha se SHBA përkujton viktimat e një “nga mizoritë më të këqija të shekullit 20”, por ai nuk përdori fjalën gjenocid. Në vend të kësaj ai inkurajoi armenët dhe turqit të “njihnin dhe marrin në konsideratë historinë e tyre të dhimbshme”.
Në vazhdën e dy votimeve javën e kaluar në senat për të njohur masakrat si gjenocid-një fitore simbolike e shumëpritur e armenëve- Presidenti autoritar i Turqisë Rexhep Taip Erdogan kërcënoi me mbylljen e bazës ajrore në Incirlik, e cila është e bazuar në Turqi dhe strehon armë bërthamore të SHBA-së.
Erdogan e quajti votën si rezolutë “e pavlerë” dhe “ofendimi më i madh” për popullin turk.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, i përshëndeti rezolutat e senatit dhe kongresit duke i quajtur si “një hap që shërben për të vërtetën dhe drejtësinë historike”.
Qindra mijëra armenë vdiqën kur Perandoria Osmane i dëboi në masë nga Anadollia në shkretëtirën e Sirisë gjatë viteve 1915-16. Ata kishin vdekur nga uria dhe sëmundjet.
Paraardhësi i zotit Trump, Barak Obama, kishte premtuar se do ta njihte masakrën e Armenëve si gjenocid gjatë fushatës për president, por pas zgjedhjes nuk e përdori më këtë fjalë.
Përgatiti: Ardita Zeqiri