Administrata e Fakultetit në varrim, studentët e Juridikut presin për dorëzimin e fletëpagesave

Në ditën e fundit të afatit për dorëzimin e fletëpagesave për paraqitjen e provimeve në nivelin Master të Fakultetit Juridik, studentët e këtij fakulteti është dashur të presin.

Kjo pasi që në këtë fakultet, asnjë person nga administrata e nivelit Master,  nuk ka qenë në vendin e punës në kohën kur do të duhej të pranoheshin këto fletëpagesa.

Ata kishin shkuar në varrimin e nënës së Dekanit të këtij fakulteti, Haxhi Gashi.

KALLXO.com ka vizituar ambientin e këtij fakulteti në kohën kur studentët ishin duke pritur për dorëzimin e fletëpagesave.

Rreth 20 studentë që ishin në pritje thanë për KALLXO.com se për më shumë se një orë kanë pritur që të hapen sportelet për verifikimin e fletëpagesave, por sipas tyre, askush nga personeli i administratës apo dikush tjetër nga menaxhmenti nuk kanë dhënë sqarime për situatën.

“Kam ardhur nga Gjakova dhe kam marrë leje prej punës, enkas për me ardhë me dorëzu fletëpagesën se në në njoftim ka shënuar se sot është afati i fundit, por është ora gati 14:00 dhe askush nuk na ka njoftuar pse nuk po punon administrata. Nuk po e di a mu kthy në shtëpi a si me vepru, se nesër nuk mundem me marrë leje prej punës”, tha njëri nga studentët, i cili deshi të mbetet anonim.

Edhe studenti tjetër ka shprehur të njëjtën brengë.

“Jemi në marrëdhënie pune dhe kemi ardhur prej orës 13:00 me dorëzu fletëpagesën për provimet dhe ora është 13:35 dhe s’është paraqit askush në sportele. Kjo po na shkakton probleme në punë edhe pse jemi marrë vesh por nuk është në rregull se edhe të tjerët punojnë”, tha një tjetër student i këtij fakulteti.

KALLXO.com ka kontaktuar dekanin e Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, i cili tha se ka rast vdekje.

Për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur me këtë çështje, ne vizituam edhe zyrën e dekanit, ku asistentja e tij, Sevdije Rexhepi tha se personeli i administratës dhe menaxhmenti, kanë shkuar në varrim me rastin e vdekjes së nënës së dekanit.

“Ata kanë shkuar, nuk kam asnjë informatë për këtë çështje”, tha ajo.

Kontakti me  sekretarin e Fakultetit të Juridikut, Miftar Shala, po ashtu ka qenë i pamundur.

Në numrin e zyrës së tij, u lajmërua asistenja,e  cila tha se edhe sekretari është në varrim.

Afati i paraqitjes së provimeve për nivelin Master të këtij Fakulteti ka qenë nga data 11 nëntor deri më 15 nëntor, kurse pagesat e provimeve sipas një njoftimi nuk pranohen pas datës 19 nëntor 2019.

www.kallxo.com.