Shtëpia e Bardhë - Foto: REL/Wikipedia Commons

Administrata Biden zgjeron listën e “kërcënuesve të stabilitetit” në Ballkan, fut edhe Shqipërinë

Administrata e presidentit Joe Biden ka zgjeruar fushëveprimin e aktit Bllokimi i pronës dhe ndalimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara të një numri personash që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Sipas vendimit të së martës, masa tani përfshin edhe Shqipërinë, ndërkohë që deri më tani kishte të bënte vetëm me vendet e ish-Jugosllavisë.

Së fundmi, Departamenti amerikan i Shtetit vendosi që t’ia ndalojë hyrjen në ShBA ish-kryeministrit e ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, me pretendimin se është i përfshirë në vepra korruptive dhe ka minuar demokracinë në Shqipëri.

Ndërkaq në vendimin e 8 qershorit 2021 thuhet se presidenti Biden ka zgjeruar fushën e emergjencës kombëtare të deklaruar në urdhrin ekzekutiv të 26 qershorit 2001, ndryshuar me atë të 28 majit 2003.

Kjo pasi, siç thuhet në deklaratë, situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe Republikën e Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike.

Kjo, sipas Shtëpisë së Bardhë, përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

listën e përpiluar nga Administrata e ish-presidentit George Bush në vitin 2001, ishin përfshirë edhe emra të njohur të skenës politike të Kosovës, si Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Sami Lushtaku e  Ramiz Lladrovci.