Foto: Screenshot, RTK
Adi Krasta jep dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit të RTK-së, anulohet konkursi për drejtor të përgjithshëm
Adi Krasta ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Lajmi u bë i ditur më 28.10.2024 nga bordi i RTK-së.
Sipas një komunikate, bordi ka thënë se e vlerëson përkushtimin e Krastës në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK.
“Në këtë mbledhje, gjithashtu, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Në veçanti, Bordi e vlerëson përkushtimin e z. Krasta në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK”- thuhet në komunikatë.
Po ashtu, bordi i RTK-së në mbledhjen e sotme ka anuluar konkursin për drejtor të përgjithshëm.
“Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit. Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfave pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm”- thuhet në komunikatë.
Më 27.10.2024, në një intervistë pas Festivalit të dytë të Këngës në RTK, Krasta ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje nga ky institucion.
“Mendoj që mund ta bëj aktive dorëheqjen e janarit të shkuar që e kam pasur në tryezën time gjatë gjithë kohës. Do ta konsideroj si mision të mbyllur, por patjetër që do të kem bashkëpunime me RTK-në edhe në të ardhmen, mund të vij për projekte të bukura. Mendoj që e përjetuam ëndrrën që dëshironim dhe ëndrrat kanë edhe një fund të bukur”- ka thënë Krasta.
Krasta ishte emëruar zëvendësdrejtor i RTK-së më 14.01.2023.
Më 10.09.2024, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ka shpallur konkursin për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni.
Data e fundit e pranimit të aplikacioneve për këtë pozitë sipas konkursit ka qenë 23.09.2024, ora 16.00.
Ish-drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj kishte dhënë dorëheqje më 08.07.2024, duke thënë se kjo vjen pas një presioni politik 7-mujor. Ai kishte pretenduar se ishte ftuar në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
“Zoti Kurti në njëfarë forme e pranonte që në RTK ka ndryshim por mendonte që duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë. Në një moment tha që ‘mendoj që ka ardhë koha për një ndryshim të ri në menaxhment’. Nuk ishte shumë specifik që unë të largohesha por fakti që thotë ndryshime në menaxhment, atë e kuptova” – kish thënë Ahmetxhekaj.
RTK ka hapur konkurs edhe për tre anëtarë të bordit më 28.08.2024, pas dorëheqjes së kryetarit të bordit, Besnik Boletini dhe anëtarëve Arta Berisha e Safet Kabashaj.
Megjithatë, Ligji për RTK-në thotë që dorëheqja duhet të njoftohet të paktën tre muaj përpara, prandaj të tre do të vazhdojnë të jenë anëtarë edhe për tre muaj pas dorëheqjes