Foto: Adi Krasta/Facebook
Adi Krasta emërohet zëvendësdrejtor i RTK-së
Me 8 vota për dhe asnjë kundër, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka emëruar Ardian (Adi) Krastën, zëvendësdrejtor të RTK-së.
Propozimin para bordit e ka bërë drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili tha se sipas rezultatit përfundimtar, Krasta është renditur i pari.
“Në bazë të rezultatit përfundimtar, i pari është Ardian Krasta. Rekomandoj që të emërohet Krasta si zëvendësdrejtor i RTK-së. Kërkoj nga ju që të votoni që Krasta të emërohet zv drejtor i RTK-së”- tha Ahmetxhekaj.
KALLXO.com raportoi më herët se Komisioni i ankesave i Radiotelevizionit të Kosovës – RTK kishte refuzuar ankesën e kundër kandidates së Krastës, Ilire Zajmi, e cila ka pretenduar se në kundërshtim me rregullat e RTK-së është anuluar procesi i parë i intervistimit që e kishte nxjerr atë të parën në garën për zëvendësdrejtor të RTK-së.
Zajmi që ishte kandidatja më e poentuar në procesin e parë, nuk kishte marrë fare pjesë në riintervistimin e organizuar nga komisioni i njëjtë vlerësues.
Në riintervistim, komisioni vlerësues e kishte poentuar kandidatin, Ardian (Adi) Krastën me më së shumti pikë, duke e rekomanduar për pozitën e zëvendësdrejtorit të RTK-së.
Komisioni i ankesave i hap rrugë zgjedhjes së Adi Krastës në pozitën e zv.drejtorit të RTK-së