Burim Ademi, Gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, Foto:KALLXO.com

Ademi: Një sistem juridik që nuk e ka qëllimin e risocializimit, ai është i destinuar për të dështuar

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Burim Ademi, ka deklaruar se shumica e rasteve të mosdeklarimit të pasurisë mund të jenë kur personat nuk e kanë deklaruar me kohë, e jo që kanë fshehur diçka.

“Gjykata e ka pa të arsyeshme që është i mjaftueshëm një dënim me kusht në kuptimin e individualizimit të dënimit, sepse një dënim apo një sistem juridik që në vetvete nuk e ka qëllimin e risocializimit ai është i destinuar për të dështuar”, ka thënë Ademi.

Kështu ka deklaruar gjyqtari Ademi në emisionin #KallxoPërnime ku po trajtohet ‘Mosarsyetimi/harmonizimi i vendimeve gjyqësore’ në Kosovë.

Gjyqtari Ademi është shprehur se udhëzuesi për politika ndëshkimore jep një pikë të caktuar referuese e pastaj peshohen ato rrethana.

“Ka policë, ka zyrtarë të shërbimit korrektues, ka nivel të drejtorive që janë proceduar penalisht, disa janë të procedurës penale, disa janë vendime të formës së prerë”, ka thënë ai.

Tutje, gjyqtari ka thënë se është duke parë arsyetime më të qëndrueshme në vendimet e gjykatave.

“Në arsyetimet e vendimeve të gjykatave të shkallës së parë po shohim argumente më të qëndrueshme për sa i përket rrethanave, nuk po them se janë të kënaqshme, por që ka një lëvizje graduale pozitive”, është deklaruar Ademi.