Ademi e Rama dakordohen për ndërtimin e stadiumit të ri

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ai i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, janë dakorduar për stadiumin e ri në kryeqytet, i cili pritet të ndërtohet në fshatin Bërnicë.

FFK në një komunikatë bëri të ditur se stadiumi do jetë i kategorisë së katërt dhe do i plotësojë kushtet e nevojshme.

“Presidenti Ademi dhe i i pari i kryeqytetit u dakorduan për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për sportin kryeqytetas dhe jo vetëm. Stadiumi i ri, i cili do të ndërtohet në Bërnicë, do të jetë i kategorisë së katërt dhe do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim theksohet se ky stadium gjithashtu do të jetë një vend i përshtatshëm për organizimin e aktiviteteve të tjera  sportive dhe eventeve të ndryshme.

Sipas FFK-së, në këtë takim u ra dakord që stadiumi të jetë në menaxhim të FFK-së.

“Ademi dhe Rama kanë rënë dakord që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh me stadiumin “Fadil Vokrri”. Ata diskutuan po ashtu edhe për mirëmbajtjen e stadiumit ekzistues, gjendjen e fushës dhe organizimin e ndeshjeve kombëtare dhe të ekipeve që garojnë në Evropë”- thuhet tutje në njoftim.

Në këtë takim, Agim Ademi i dhuroi të parit të Prishtinës fanellën e kombëtares së Kosovës.

“Presidenti Ademi i ka dhuruar kryetarit Rama fanellën e kombëtares së Kosovës dhe e ka falënderuar për gatishmërinë e tij për të kontribuar në zhvillimin e futbollit kosovar. Ata kanë shprehur vullnetin për të nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit në përputhje me praktikën e krijuar me komunat e tjera të Kosovës. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e futbollit kosovar dhe në ngritjen e nivelit të klubeve në kryeqytet”- u tha më tej në njoftimin e FFK-së.