Adem Grabovci në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Adem Grabovci komenton kërcënimet ndaj Drita Hajdarit

Ish- shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci që së fundi u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës në rastin ‘Pronto’ ka reaguar ndaj kërcënimeve që u janë bërë prokurores së rastit të tij.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari që ka punuar aktakuzën kundër Adem Grabovcit dhe të tjerëve ka njoftuar se të shtunën ka marrë kërcënime dhe për këtë e ka njoftuar Policinë e Kosovës.

Personazhi kryesor i aferës ‘Pronto’, ka reaguar ndaj këtyre kërcënimeve duke i quajtur të papranueshme, derisa ka bërë thirrje që të zbulohen kërcënuesit.

“Është e papranueshme çdo formë e kërcënimit apo fyerje në drejtim të zyrtarëve të drejtësisë. I ftoj organet e relevante që raste të tilla të jenë prioritet dhe të zbulojnë akterët dhe t’i sjellin para drejtësisë”, ka shkruar Grabovci në Facebook.

Të premtën, Drejtësia në Kosovë publikoi rrëfimin e prokurores Drita Hajdari në lidhje me ndjekjen e aferës ‘Pronto’.

Këtu mund ta ndiqni intervistën e plotë.