Adem Grabovci - Foto: Facebook

Adem Grabovci: Jam penduar për votimin e Speciales

Ish-shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se “është pishman” që ka votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale.

Këtë deklaratë Grabovci e ka dhënë në televizionin Klan Kosova gjatë ditës së sotme kur diskutohej për arrestimin e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

“Duke i marrë parasysh rrethanat se si po zhvillohen, unë si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, sot i bëj pyetje vetes se çka është duke ndodhë. Unë nuk do të kisha vepru kurrë se si kam vepruar atëherë. Sot e ndjej veten të penduar që kam besuar dhe e kam dhanë votën time dhe jam i gatshëm t’i kërkoj falje të gjithë qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Grabovci.

Sot gjatë ditës, ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar pas ngritjes së aktakuzës nga ana e Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti është dërguar në Hagë.

Po ashtu, nesër për në Hagë do të niset edhe anëtari tjetër i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, pasi që edhe ndaj tij është ngritur aktakuzë.