09.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Abuzimet me çmime, Inspektorati sekuestron vaj dhe shqipton gjoba nëpër markete

Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se inspektorët e tregut, inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, kanë inspektuar bizneset në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, janë inspektuar depo, markete dhe me këtë rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e vajrave ushqimore. Për shkak të mungesës së dokumentacionit, është konstatuar mospërputhje e çmimeve dhe mashtrime me sasisë e produkteve.

“Janë inspektuar depo, markete dhe me këtë rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e vajrave ushqimore për shkak të mungesës së dokumentacionit, është konstatuar mospërputhje e çmimeve, mashtrime me sasisë e produkteve etj. Me këtë rast janë shqiptuar një numër i madh i gjobave gjithashtu lëndët do të trajtohen në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e MINT.

Tutje në njoftim është bërë e ditur se Inspektoriati ka inspektuar edhe pika shitëse me pakicë të naftës dhe derivateve të naftës me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

“Inspektorati i Tregut i MINT në bashkëpunim me Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë inspektuar pikat shitëse me pakicë të naftës dhe derivateve të naftës me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përcaktimin e marzhës tregtare. Te disa biznese ka pasur mosbarazim sa i përket sasisë së stokut dhe me këtë rast do të shqiptohen gjoba në përputhje me ligjin”, bën të ditur MINT.

KALLXO.com dje ka raportuar se janë mbyllur dy depo të supermarketëve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë janë mbyllur përkohësisht. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetërn 26 mijë të tjera.

Zv/kryeinspektorja e Inspektoriatit të Tregut, Lebibe Haliti sot për KALLXO.com tha se kompensimi i qytetarëve të cilët kanë blerë produkte me çmime të larta është pjesë e aktiviteteve të Inspektoriatit.

“Jemi duke e konsultuar ligjin, edhe kjo do të jetë pjesë e aktiviteteve të inspektorëve. Ligji i Mbrojtjes së Konsumatorit e thotë, por jemi duke e konsultuar ende si bazë ligjore”, ka thënë Haliti për KALLXO.com.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që kanë rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.

Dje në Kosovë çmimi i vajit ka shkuar në 3.49 euro.