Abrashi: Qeveria Hoti planifikon 400 milionë euro për rimëkembje ekonomike

Deputeti dhe Sekretari organizativ i LDK-së, Arban Abrashi është deklaruar për media pas takimit që thirri Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai tha se Qeveria Hoti synon që deri në vjeshtë të ndajë 400 milionë euro dhe ka treguar se rimëkëmbjen e bazojnë në dy shtylla kryesore, shkruan RTK.

Abrashi i LDK’së gjithashtu ka kritikuar kryeministrin në detyrë Kurti duke thënë se çdo ditë me kreun e VV’së si kryeministër po shkakton dëme për bizneset.

“Programi qeverisës do të ketë dy shtylla. E para për menaxhimin e pandemisë, ku synojmë të përfshijmë të gjitha protokollet, sidomos ato të Komisionit Evropian dhe e dyta, rimëkëmbjen ekonomike. Çdo ditë e humbur me qeverinë Kurti po shkakton dëme ekonomike për bizneset, synojmë të kemi një pako gjeneroze, ku deri në vjeshtë do të shpërndajmë së paku 400 milionë euro, e më të kalojmë edhe te një miliardshi, që e ka përmendur kryeministri Hoti”, ka thënë Abrashi.

Hoti sot gjatë ditës tha se qeveria me të në krye do të investojë për rimëkëmbje ekonomike e shkaktuar nga pandemia.

“Në programin për rimëkëmbje ekonomike te Qeverisë së re kemi paraparë dyfishim të të gjitha subvencioneve në bujqësi, krahas masave për mbështetje të kredive bujqësore dhe investimeve në sisteme të ujitjes”, tha sot gjatë ditës Hoti përmes një njoftimi në Facebook.

Dekreti i presidentit Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit si kryeministër është pezulluar nga masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, derisa pritet të dihet epilogu pas vendimit final të Kushtetueses rreth asaj nëse do të shkohet në zgjedhje të reja apo do t’i jepet e drejta LDK’së të krijojë qeverinë e re.

Po ashtu i propozuari për postin e kryeministrit Avdullah Hoti, gjatë javës së kaluar kishte  thënë se me mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kishte  shkruar se një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.

“Në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar ”, kishte shkruar Hoti në ‘Facebook’.

Hoti premton mbi 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike me qeverinë e re