Abramovich dhe negociatorët ukrainas kanë pasur simptoma të helmimit

Oligarku rus Roman Abramovich, i cili është përpjekur të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet Moskës dhe Kievit për të ndalur luftën në Ukrainë, si dhe dy negociatorë ukrainas, kanë pasur simptoma të cilat lënë të besohet për një “helmim” të mundshëm, ka njoftuar sot Wall Street Journal.

Siç raporton Le Figaro, pas një takimi në kryeqytetin ukrainas gjatë marsit, miliarderi – pronar i klubit anglez të futbollit Chelsea si dhe dy zyrtarë të lartë të ekipit të negociatorëve ukrainas “kanë shfaqur simptoma”, shkruan gazeta amerikane duke cituar “persona që janë në dijeni për këtë situatë”.

“Sytë e skuqur dhe të përlotur, fytyra dhe duart e qëruara: këto simptoma u përmirësuan më pas “dhe jeta e tyre nuk është në rrezik”, shton ai.

Burimet e gazetës kanë përmendur një helmim të mundshëm, dhe për këtë dyshohen përkrahësit e linjës së ashpër në Moskë, të cilët dëshirojnë sipas tyre të sabotojnë bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Një njeri i afërt me Abramovich megjithatë ka thënë se nuk është i sigurt identiteti i atyre që kanë vënë në shënjestër grupin, thekson Wall Street Journal, duke theksuar po ashtu se ekspertët perëndimorë nuk kanë mundur të përcaktojnë shkakun e simptomave.

Gazeta thekson se oligarku rus (tashmë shënjestër e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar), i konsideruar si njeri i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, ka filluar të udhëtojë ndërmjet Moskës dhe Ukrainës në kuadër të një ndërmjetësimi për t’i dhënë fund konfliktit./Le Figaro