Abelard Tahiri: Sa i përket sigurimit të vaksinave, Kosova në rangun e Libisë, Sirisë, Zambisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për, sipas tij, papërgjegjësinë e treguar në menaxhimin e situatës me COVID-19.

Tahiri e ka krahasuar Kosovën me shtetin e Libisë sa i përket sigurimit të vaksinave kundër COVID-19.

“Ministri foli vetëm një minutë për vaksinat, kjo tregon papërgjegjësinë me të cilët udhëhiqet ky vend. 20 minuta folet për gjithçka tjetër por vetëm një minutë për vaksina. Ne e dimë që një ditë do t’i kemi vaksinat, po më duket si me jetu në vitet 2000 duke i prit ndihmat, në këtë gjendje e kanë sjellë vendin. Kosova është në rangun e Libisë, Sirisë, Zambisë e Kirgizisë sa i përket vaksinimit të popullsisë”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se ministrit Vitia nuk i bën përshtypje humbja e jetës së qytetarit.

“Kur na folët për moral dhe dorëheqje është me e fundit që duhet me fol, ti u dashtë me jep dorëheqje kur ka humb jetën Agon Musliu si shkak i masave të juaja. Ju e keni tregu që nuk ju bënë përshtypje jeta e qytetarit edhe sot me vdek 11 persona për Arben Vitinë e Albin Kurtin është situatë normale”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Ndaj kësaj ka reaguar në emër të grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, e cila e ka quajtur të papranueshme përmendjen e vdekjes së Agon Musliut.

“Është e turpshme të përmendet viktima. Është e papranueshme përmendja e përsonave të vdekur. I kam pa manipulimet që janë tentu me u bo me këtë rast, çka po doni ende”, tha ajo.