Abelard Tahiri: Qeverisë Kurti i ka humbur rruga në oborr

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme për tarifën 100 % tha që koalicioni LVV-LDK nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë me tarifën.

“Është shqetësuese që sot nuk kemi një qartësi politike rreth dialogut dhe taksës. Sa ishin në opozitë ishin refuzues ndërsa sot në pozitë janë të padefinueshëm, u ka humbur rruga në oborr”, tha ai.

Tahiri tha që tarifa si vendim ka qenë shumë mirë i menduar nga Qeveria Haradinaj.

“Ish -koalicioni e vendosi taksën përmes kalkulimeve të plota, sot taksa ka prodhuar efekt. Nuk duhet të harrojmë që i vetmi vend që mundemi t’i besojmë janë ShBA-të”, tha mes tjerash Tahiri.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi tha që LDK është për heqjen e taksës ashtu siç edhe janë deklaruar me partnerin e koalicionit.

Kjo seancë e jashtëzakonshme është thirrur nga deputetet e opozitës pasi që kryeministri aktual Albin Kurti javën e kaluara kishte prezantuar një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.