Abelard Tahiri: Qeveria Hoti, koalicion i interesave të bëme

Ish ministri i Drejtësisë, tash deputet i PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka kritikuar Avdullah Hotin dhe koalicionin që po synon krijimin e qeverisë së re në Kosovë.

Tahiri ka shkruar se presidenti ka dekretuar Hotin si kandidat për kryeminitër, i cili para tre muajsh, sipas Tahirit, e lavdëronte shefin e tij, Albin Kurti, si kryeministër të shpresës.

“Tani po ia zë vendin, për shkak se Albini paska qenë kryeministër i shthurjes. Pra nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalojmë tek një koalicion i interesave të bëme. Do ta kemi një qeveri të re që është kombinuar nga rrethanat e përfitimet, por s’ka të bëjë asgjë me parimet”, ka shkruar Tahiri.

Ai po ashtu ka shkruar se Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike nuk dhanë përgjigje se ku mbeti shpresa dhe si u bënë ‘kapësit e djeshëm të shtetit, partner të LDK-së në qeverinë e re’.

“Kjo tregon qartë se Vetëvendosja dhe LDK-ja, janë e njëjta mendësi shantazhuese, që synojnë të përfundojnë në qeverisje përfituese. Natyrisht se përballë këtij devalvimi të integritetit politik, detyrat tona si opozitë bëhen më të mëdha. Kosova meriton shumë më mirë se kaq, e një ditë, shumë afër, do ta ketë atë që e meriton”, thuhet në fund të shkrimit të ish ministrit Tahiri.