Abelard Tahiri për situatën në veri: Përkrahim vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka folur për situatën e krijuar në veti të Kosovës. Ai tha se e përkrahin vendosjen e ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Kosovës.

Tahiri është shprehur se i kanë dhënë mbështetje të plotë procesit të ndërmarrë nga Qeveria, dhe se nuk duan ta vendosin si betejë politike mes pozitës e opozitës.

“Ne në asnjë rrethanë nuk duam të shkaktojmë paqartësi në opinion publik ose të miqtë tanë ndërkombëtarë, sa i përket kësaj çështjeje. Ne i kemi dhënë mbështetje të plotë këtij procesi”, tha ai.

Tahiri shtoi se nuk duhet të lejohet kurrfarë riorganizimi paralel karshi institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Ju e dini që ka pas tendenca për krijimin e asociacionit me një vetiniciativë. Prandaj mendoj që çdo institucion paralel që i kundërvihet institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk duhet të lejohet. Duhet të ruhet kushtetutshmëria dhe rendi kushtetues në krejt territorin tonë”, tha ai.

Tahiri tha se shefat e grupeve parlamentare do të takohen dhe të diskutojnë për këtë gjendje.

“Duhet të jemi të qartë që debatet e tilla mund të shkaktojnë edhe dëm pa dashje nga Kuvendi. Këtu duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kjo nuk është agjendë mes pozitës e opozitë kjo është një agjendë shtetërore e jona, është interes i joni nacional që mos të zbehet vendosja e institucioneve tona në atë pjesë të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se ka ngrit një çështje në Kryesi lidhur me votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Një çështje që e kam ngrit, është shqetësimi që ka të bëjë me votimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese e cila tashmë është çështje që duhet ta vendos Kryesia e Kuvendit dhe duhet të procedohet në seancën plenare për votim. Edhe kësaj here, nuk e kemi pas konsensusin që një çështje të tillë ta vendosim në seancën e radhës”, tha ai duke shtuar se kjo nuk duhet shtyhet pafundësisht.