Abelard Tahiri (PDK) në mbledhjen e kryesisë, 17 janar 2022

Abelard Tahiri për seancën e së shtunës: E kemi parë si tallje me deputetët e opozitës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri për seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të shtunën, ka thënë se ka qenë e panevojshme dhe se e ka parë si tallje me deputetët e opozitës.

“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e talljeve të tilla dhe nuk kemi dashtë mu bo pjesë e talljeve. Nuk mund ti kërkoj legjislatura ekzekutivit me mbrojtë kushtetutshmërinë e vendit”, ka thënë Tahiri.

Sa i përket rezolutës Tahiri tha se PDK është subjekti i parë politik që ka kërkuar të ruhet kushtetutshmëria dhe sovraniteti.

“Ne vlerësojnë që akti i qeverisë ka qenë akt i detyrueshëm për ruajtjen e sovranitetit dhe kushtetutshmërisë”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa për zgjedhjet e Serbisë ne prill, Tahiri tha se një ministër si Rakiq duhet shkarkuar i cili sipas tij bënë deklarata kundër Qeverisë në vendin që e përfaqëson.

“Ne nuk duhet të lejojmë në asnjë rrethanë të mbahen zgjedhje të një vendi në vendin tonë. Duhet të jemi në krye të detyrës. Si subjekt ne do të kërkojmë që të respektohet sovraniteti dhe kushtetutshmëria jonë”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu ka kërkuar përgjegjshmëri më të madhe të shumicës parlamentare.

“Tashmë Republika e Kosovës ka fillu të kërcënohet nga një valë e re e COVID-19. I bëjmë thirrje Qeverisë që fushat që janë goditur më shumë si arsimi dhe shëndetësia, të ju kushtojë rëndësi dhe kujdes të madh”, tha Tahiri.