Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri për gabimet e tij drejtshkrimore: Jam çuditur me veten

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, është deklaruar lidhur me gabimet e tij drejtshkrimore në Formularin për Broshurën Parlamentare.

KALLXO.com raportoi dje ekskulzivisht se në mesin e disa deputetëve që kanë shkruar të dhënat e tyre personale me gabime drejtshkrimore është edhe deputeti Abelard Tahiri.

Tahiri kishe shkruar gabim fjalën “shqiptar”, qytetin e tij të lindjes – Skenderajn, fjalën ‘anglisht’ dhe atë ‘deputet’.

Ai sonte në T7 deklaroi se ishte befasuar kur e kishte parë veten në këtë artikull pasi që thotë se gabimet kanë qenë pa vetëdije.

Nga çudia se ka bërë këto gabime, ai thotë se do të kërkojë ta shikojë formularin origjinal, në rast që ka pasur ndonjë ndërhyrje.

“E pash lajmin, më duket në KALLXO.com edhe titulli ku paralajmërohet ku ‘shumë deputetë bëjnë gabime’, titulli ishte gabim, e më bëri përshtypje e hina me pa e aty e pash edhe veten teme. Pra, nuk është hera e parë që ndodhin gabime të tilla. Ndoshta nga pakujdesia, ndoshta nga vëmendja, më ndodh sa herë të marrë detyra të reja në javët e para e bëj një lapsus… Shumë jam çuditë me vetveten se qysh e kam bë pa vetëdije edhe ‘shqiptar’ edhe ‘Skenderaj’. Nuk e di qysh më ka ik edhe e kam bë një gabim të tillë. Kur e shifsha, dojsha me kërku formularin origjinal me këqyr a e ka prek dikush, se isha shumë i habitur me veten time. Do të kërkoj me pa”, tha Tahiri.

Regjistrimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i obligon ata që të plotësojnë pak të dhëna personale në Formularin për Broshurën Parlamentare. Aty kërkohen, emri e mbiemri, kombësia, datëlindja, vendlindja, statusi civil, partia të cilës i përket deputeti, arsimimi, njohja e gjuhëve të huaja, aktivitetet e deritashme të deputetit dhe të dhënat e kontaktit. Në kaq pak rubrika sa duhet të plotësojnë deputetët, e që nuk kërkohet të kenë më shumë se 15-20 fjalë, një pjesë e madhe e tyre kanë bërë gabime të ndryshme gjuhësore.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në formularët të cilët janë plotësuar nga vetë deputetët Kuvendit të Kosovës dhe i ka siguruar 117 nga 120 sosh.

Gabimet janë të shpeshta e më së shumti duket se deputetët kanë bërë në përshkrimin e kombësisë. Ka nga ata që e kanë shkruar “shqipëtar”, “shqipëtarë” apo edhe “shqiptarë”, në vend se të shkruhej korrekt shqiptar apo shqiptare.