Abelard Tahiri: Nuk u implementua as 20 për qind e agjendës legjislative

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se agjenda parlamentare e këtij viti lë shumë për të dëshiruar.

Sipas tij, Qeveria nuk ka arritur të përmbushë as 20 për qind prej asaj që është prezantuar në fillim.

“Ne tashmë po hyjmë në vitin e dytë të kësaj qeverie dhe kur e sheh agjendën parlamentare dhe realizimin lë për të dëshiruar, s’ka arritur të implementohet as 20 për qind prej asaj që është prezantuar”, ka thënë Tahiri.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se ka pasur shumë projektligje për të cilat është dashur më shumë angazhim nga Qeveria për t’u sjellë në Kuvend.

“Ka shumë projektligje që prekin direkt qytetarët dhe është dashur më shumë angazhim nga Qeveria që t’i sjell në Kuvend. Nuk kemi pasë një agjendë të ngjeshur, kemi pasë shumë dështime që kanë ndodhur nga kryesia, dështimi i votimit të shumë projektligjeve në Kuvend, vonesa, dështime të seancave”, ka shtuar Tahiri.

Abelard Tahiri foli edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe tha se Kosova duhet të jetë në linjë të plotë me agjendën e Berlinit që ndërlidhet me Ballkanin Perëndimor.

“Nuk duhet të ndërlidhet me agjenda tjera që nuk udhëhiqen nga BE dhe në këtë rast duhet të sqarohen shumë çështje me Open Balkan, është i rëndësishëm këtu raporti mes Kosovës dhe Serbisë dhe pas një marrëveshje që rezulton me njohje dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, atëherë do të ishim të barabarta dhe Kosova nuk do kishte arsye të refuzonte iniciativa të tilla”, ka thënë ai.