Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri: Nuk po kërkojmë zgjedhje, po kërkojmë zgjidhje

Kryetari i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri sot gjatë seancës së Kuvendit ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të gjej zgjidhje lidhur me situatën në veri pas dorëheqjes së zyrtarëve serb nga institucionet e Kosovës.

Tahiri ka thënë se si opozitë nuk do të lejojnë Qeverinë që të tërhiqen nga ushtrimi i sovranitetin në pjesën veriore të Kosovës.

“Si opozitë nuk kërkojmë zgjedhje, kërkojmë zgjidhje të problemit që e keni shkaktuar tash e disa ditë në veri të Kosovës. Si opozitë nuk do të tolerojmë që në asnjë rrethanë të tërhiqeni nga ushtrimi i sovranitetit në atë pjesë të vendit tonë. Sot duket qartë që ajo pjesë kontrollohet nga një numër simbolik i policëve. Ne si opozitë ju bëjmë thirrje që të jeni përgjegjës në përgjegjësinë çfarë e keni” – tha Tahiri.

Tahiri ka shtuar se si opozitë do ta mbështesin Qeverinë që të vazhdoi funksionimi i punës së institucioneve në katër komunat në veri të Kosovës.

Deputeti i PDK-së tutje ka kërkuar nga qeveria vigjilencë e përkushtim duke shtuar edhe se nevojitet koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Tahirit koordinimi i Kosovës me SHBA-në është një prej proceseve që i ka dhënë më së shumti fryte dhe fuqizim shtetit të Kosovës.

“Nuk na duhet konfrontim me SHBA-në. Si rezultat i angazhimit të tyre kemi arrit me fuqizu shtetin tonë. Kemi arrit me sjellë shtetin e Kosovës që njihet sot në botë nga më shumë se 100 shtete” – tha Tahiri.

Ai tutje ka shtuar se ka qenë angazhim i përbashkët i institucioneve të Kosovës, largimi i strukturave paralele që sipas tij financoheshin nga Beogradi, dhe një kohë mbështetshin nga Tadiqi.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).