Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri - ministrit të Financave: Mos i ofendoni sindikatat!

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka quajtur të papranueshme siç i ka quajtur ai “ofendimet e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati bërë sindikatave”.

“Fatkeqësisht as me këtë projekt buxhet nuk keni bërë asgjë. Është e papranueshme me i ofendu dhe etiketu sindikatat, ke përgjegjësi shtetërore edhe nëse nuk mundesh me i përmbush të gjithë premtimet ke përgjegjësi. Duhet me u ul me bisedu me ta, janë ata që ju kanë sjellë në pushtet. Janë të njëjtat sindikata që dikur na kritikonin neve, e tash qeverinë tuaj. Janë ato sindikata që dikur kryetari i Vetëvendosjes tash kryeministër takohej me to”, tha ai.

Ministri, Hekuran Murati përmes një shkrimi në facebook e ka akuzuar Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë se për pesë vite i ka marrë 3 milionë euro dhe sipas tij nuk dihet se ku kanë shkuar ato para.

Paralajmërimet për grevë nga sindikatat e shëndetësisë, Murati i ka cilësuar politike.

“Kurse ata që paralajmërojnë greva nuk humbin. Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para”, ka shkruar ai.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka vazhduar edhe sot me protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre për mosmiratim të Projektligjit të pagave për sektorin publik si dhe implementimin e Ligjit për pagat në buxhetin e vitit 2022.

Ndërkaq SBAShK ka paralajmëruar protestë më 4 dhjetor ndërsa për nesër do të mbajnë protestë Sindikata e Pavarur e Administratës.