Abelard Tahiri kritikon Kurtin pse shkoi në Shqipëri

Ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, për vizitën e sotshme në Shqipëri.

Tahiri ka shkruar se vizita e Kurtit në Shqipëri është paralajmërim tipik i stilit të tij politik të parpërgjegjësisë dhe mashtrimit.

“Është e çuditshme dhe e paprecedent se si Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, edhe pas një jave të formimit të saj, ende nuk e ka mbajtur mbledhjen e parë dhe ende nuk e ka shpalosur para qytetarëve programin qeverisës. Në vend të kësaj, Kryeministri ka zgjedhur ta bëjë një vizitë jashtë vendit”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, prioritet i kryeministrit nuk ishte takimi me kabinetin për të përcaktuar detyrat themelore, e as ofrimi i programit që do të shërbente për të njohur orientimin politik, por një vizitë në Shqipëri.

“Ky fakt është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një politikan të paaftë për ta kuptuar dhe administruar me ekzekutivin. Është shqetësuese sjellja e papërgjegjshme e Kurtit karshi pritjeve të qytetarëve, që me të drejtë kërkojnë ta dinë agjendën e prioriteteve për Kosovën”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social ‘Facebook’.

Sot gjatë ditës, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Shqipërinë, në vizitën e tij të parë jashtë shtetit, prej që e mori postin.

Ai atje u takua me homologun e tij, Edi Rama, presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Rama e Kurti ‘për një shpejtësi të re’ në marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë