Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri kritikon kryeministrin Kurti për largimin nga seanca për dialogun

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Abelard Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mos qëndrim në seancën në të cilën është duke u diskutuar për ecurinë e deritanishme të dialogut.

Pasi që përfundoi fjalimin e tij dhe replikave me disa prej deputetëve, kryeministri Kurti është larguar nga seanca e Kuvendit ku është duke u diskutuar për procesin e dialogut me Serbinë.

Tahiri e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që kryeministri Kurti i fton deputetët në seancë dhe pastaj largohet.

“Është e pa pranueshme që në një debat që na fton kryeministri mos me qenë prezent gjatë gjithë kohës sepse në njërën anë po kërkon konsensus me opozitën, unifikim në qëndrime dhe në anën tjetër nuk shohim kurrfarë qëndrimi të kryeministrit. Atë çka pam sot nga kryeministri nuk do të doja ta shihja në foltore në një pozicionim të tillë e aq më shumë ku mund ta shohin edhe ata që do ti takoj më 15 qershor në Bruksel”, tha Tahiri.

Këtë seancë e ka ftuar vet kryeministri Kurti.

Tahiri kërkoi nga Kurti që në asnjë takim të dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel të mos diskutohet për asociacionin.

“Çështjen e asociacionit ja ka borxh qytetarëve me sjell në Kuvend atë marrëveshje. Ne i kërkojmë kryeministrit mos të lejoj që për çështje që ka dhënë vendim Gjykata Kushtetuese mos të jenë si temë në takime me palën serbe”, tha Tahiri.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke vazhduar diskutimin për procesin e dialogut Kosovë Serbi në Bruksel.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve.