Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri kërkon që t’i tërhiqet vërejtja zv/kryeministrit Bislimi

Pas akuzës që ia bëri zëvendës kryeministri i Kosovës, Bisnik Bislmi deputetëve të Kuvendit duke i thënë se po manipulojnë me shifrat e çmimit të rrymës, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që Bislimit të i tërhiqet vërejtja.

“U mbytëm duke iu thanë po rreni, edhe prapë po dilni po rreni. Nuk është në rregull qekjo”, ka qenë deklarata e Bislimit.

Ndërsa Tahiri u shpreh se një deklaratë e tillë është e turpshme.

“Pra ky [Besnik Bislmi] në mungesë të argumenteve, në mungesë të fakteve del dhe bënë akuza të tilla që janë të papranueshme”, tha ai.

I njëjti gjatë fjalimit iu drejtuar zv/kryeministrit duke i thënë se njëjtë siç keni pasur këto ditë ‘kapak siklet’ gjatë kohës kur keni dal në qytet për shkak të reagimit të mundshëm të qytetarëve në drejtim të tij, një gjë e njëjtë mund të ndodhë edhe më shumë në fund të muajit.

“Kur t’i paguajmë faturat e këtij muaji do të shohim edhe më shumë në çfarë gjendje keni me pas në këtë vend”, është shprehur Tahiri.

Pas deklaratës së Bislimit, opozita në shenjë revolte ia ka ndërprerë fjalën zv/kryeministrit.

Rrahja e tavolinës ka qenë mënyra që opozita ka zgjedhur që të “revoltoj” fjalimin e Bislmit.

Pas kësaj kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë thirrje që qeveria dhe deputetët të respektojnë njëri tjetrin.

“Është e vërtetë se fjala gënjeshtër është përdorur shpesh në këtë sallë, nuk është shprehja më e mirë, nuk ia kisha propozu askujt me përdorë”, tha ai.

Opozita ia ndërpret fjalën zv/kryeministrit Bislimi

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.