Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri kërkon llogari nga kryeministri për etapat e dialogut

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, llogari se pse po fillon procesi i dialogut pa i parë dështimet në këtë proces.

Tahiri tha se kryeministri Kurti ka folur për 4 etapa që duhet t’i ketë dialogu.

“E para është kërkesa e tij për shqyrtimin e rezultateve të dialogut aktual. Pse po fillon ky proces pa i parë dështimet në këtë proces. Ka kërkuar përcaktimin e synimeve të Kosovës dhe kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë. Pse Kurti po hyn në proces ende pa i përcaktuar kërkesat tona ndaj Serbisë”, pyeti Tahiri.

Ai ka përmendur edhe parimet dhe kushtet e dialogut.

“Ne kërkojmë nga Kurti t’ua bëjë me dije qytetarëve dhe deputetëve të Kosovës se a qëndrojnë kushtet e tij se pa u zbardh fati i të pagjeturve, procesi i dialogut nuk mund të filloj. Me çfarë ekipi Kurti po shkon në Bruksel dhe kush e udhëheq këtë ekip”, shtoi ai.

Tahiri ka kërkuar të dijë edhe cili është pozicioni i kryeministrit të Kosovës karshi marrëveshjes së Washingtonit.

“A është marrëveshje e dëmshme që nuk duhet të implementohet, a është marrëveshje e pa zbatueshme, apo është marrëveshje korrekte siç e quajti administrata e zotit Biden e cila duhet të implementohet”, tha Tahiri.