Ableard Tahiri, PDK

Abelard Tahiri: Jemi dëmtuar, do të na duhet vite të kthehemi ku kemi qenë

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e ka quajtur të papranueshme përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi fushor “Defender Europe 23”, që erdhi si masë sanksionuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

“31 maji e gjen Kosovën në një situatë të palakmueshme. Sot e gjen vendin tonë në gazetat ndërkombëtare si një vend që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e papranueshme që të përjashtohemi prej “Defender 23”. Si vend, agjenda është dëmtuar jashtëzakonisht shumë. Do të na marrin vite që të kthehemi aty ku kemi qenë” – ka thënë ai.

Tahiri tha se kanë kërkuar raportim të kryeministrit, Albin Kurti që të raportojë para deputetëve për zhvillimet në veri.

“Bashkë me partitë opozitare kemi kërkuar që ta kemi një raportim te kryeministrit Kurti kur të kthehet të vijë para deputetëve dhe te raportojë për zhvillimet. Nuk ka kuptim të mbahen seanca të rregullta në këtë gjendje që jemi” – deklaroi ai.

Tahiri se asnjëherë nuk kanë kontestuar zgjedhjet në katër komunat në veri. Ai tha se nuk duan që dy kryetarët e zgjedhur nga radhët e PDK-së të jenë ata që provokojnë dhunë.

“Asnjëherë këto zgjedhje nuk janë kontestuar. Ne nuk duam që kryetarët e zgjedhur nga PDK të jenë ata që do të provokojnë dhunë. Ne kemi rekomandu që të marrin pjesë në takim me ambasadorin. Nuk po thotë askush mos me u ushtru detyrën e kryetarit të komunës, por të koordinohen” – tha Tahiri.

Zhvillimet në veri – Dita e tretë e protestave