Foto: PDK
Abelard Tahiri ironizon me incidentin e presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit: 'S'po di cila këngë e Dafinës i kish shku për shtati'
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri ka ironizuar me rastin që ka ndodhur pasditen e së enjtes (01.08.2024) në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Për me komentu këtë duhet me ditë ndonjë këngë të Dafinës. S’po di cila këngë e Dafinës i kish shku për shtati”- tha Tahiri në konferencë për media, duke përdorur debatin indirekt që u bë para pak ditësh mes presidentes Osmani dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, përmes dy këngëve të Dafina Zeqirit.
Sipas Tahirit, siç e quan ai “qasja e bashkëpunëtoreve e kryeministrit Kurtit në Maqedoni të Veriut”, nuk duhet edhe aq miqësore, duke iu referuar koalicionit VLEN.
“Nuk më habit fakti sepse atje kemi një ndërrim pushteti që mund të ketë ndërrim në qasje, këtij ndërrimi të pushtetit i ka kontribuar shumë edhe qeveria jonë”- tha Tahiri.
Teksa rasti po cilësohet si skandal diplomatik, dy anë të kundërta janë dhënë nga autoritetet e Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.
Presidenca e Kosovës deklaroi që sigurimi i Aeroportit të Shkupit, duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani.
Sipas Presidencës, kjo nuk ishte pranuar nga presidentja, derisa pas kësaj kishte pasur edhe tentim së shtyrjes fizike nga ana e sigurimit të Aeroportit ndaj presidentes, sa që është dashur të intervenoj Policia e Kosovës.
Ndërsa, autoritetet në Maqedoni të Veriut thanë së telefoni presidentes ju kishte kërkuar për skanim, por më pas në Aeroport erdhën edhe disa policë të tjerë, njëri nga ta sigurim i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e që më pas të njëjtët kërcënuan punëtorët aty.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.