Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri, i drejtohet kryeministrit: Festivali i Kanës është për artistë e jo për autoritete politike

Abelard Tahiri kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ironikisht i ka uruar mirëseardhje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Kosovë.

“Kryeministër mirë se u ktheve në Republikën e Kosovës. Shpresoj që qëndrimi yt 14 ditor në bregdetin e Greqisë dhe të Francës, po ta jep një farë shtytje për me hi në punë e me përfundu muajin e mjaltit, që spo të përfundon”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, 14 ditë vizitë jashtë shtetit të kryeministrit, nuk kishte të bënte asgjë as me interesa shtetërore e as kombëtare.

“Festivali i Kanës është për artisë e jo për autoritete politike që pretendojnë se e kuptojnë artin dhe kulturën. Kështu sillen vetëm ato autoritete politike që pretendojnë një lloj simbolike që ngjason me monarki e që kërkojnë rehabilitim të imazhit të tyre ndërkombëtare pasi që kanë bërë lëmsh qeverisjen e brendshme dhe si kemi parë shumë në lindjen e mesme”, tha Tahiri.

Ai ka përmendur edhe rastin e helmimeve në Deçan. Sipas tij kryeministri nuk e ka prishur rehatinë, për t’ju gjetur afër qytetarëve të tij.

“Kryeministër i vendit më të varfër në Evropë nuk e prishe rehatinë tënde për t’ju gjetur afër qytetarëve tu. Kjo tregon pa përgjegjësi të madhe. Edhe si opozitar nuk do të dëshiroja që pa përgjegjësia të shkoj në këtë nivel”, tha Tahiri.