Abelard Tahiri heq nga funksioni mikrofonin e foltores së Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka hequr nga funksioni mikrofonin e foltores së Kuvendit të Kosovës.

PDK ka kërkuar të anulohet seanca e sotme e Kuvendit dhe sipas PDK-së nuk duhet të mbahen seanca gjersa të zgjidhet çështja e veteranëve.

Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës së sotme gjatë kohës kur në oborrin e Kuvendit janë duke protestuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputetët të partive opozitare janë mbledhur tek karriga e kryeparlamentarit Glauk Konjucfa dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar.

Pas kësaj situate, Konjufca ka kërkuar konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare.

“Meqenëse u krijua kjo situatë, i thërras kryetarët e grupeve parlamentare që të bëjmë një konsultim lidhur me këtë që ndodhi dhe më pas shohim për seancën”, ka thënë Konjufca.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë depërtuar brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.

Faton Klinaku ju ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lëndojnë Policinë.

Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjesëtarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.

Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL-UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.