Abelard Tahiri: Çfarë krime lufte po synon qeveria të hetojë pas qershorit të 1999?
Shefi i Deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar edhe njëherë lidhur me iniciativën e qeverisë për themelimin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Përmes një shkrimi në rrjetin Facebook, Tahiri ka pyetur qeverinë se çfarë krime lufte po synohet të hetojë kryeministri pas përfundimit të luftës në qershor të 1999.
“Çfarë “krimesh të luftës” po synon të hetojë Albin Kurti pas përfundimit të luftës në qershor të 1999?! Si mund të kryhen “krime të luftës” pasi që lufta të ketë marrë fund?” – ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, Serbia ka kryer krime në Kosovë deri në qershor 1999, kurse përpjekja e qeverisë për të bërë ligj që synon të hetoj krime deri më 31 dhjetor 2000, u shkon për shtat përgjegjësve për gjenocidin në Kosovë.
“Serbia ka kryer krime lufte e gjenocid në Kosovë deri në qershor të vitit 1999. Hulumtimi i krimeve të luftës duhet të vazhdojë e të institucionalizohet. Por përpjekja e Qeverisë së Albin Kurtit, për ta bërë një ligj që synon të hetojë e hulumtojë “krimet” që ndërlidhen me luftën deri me datën 31 dhjetor, 2000, është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë”- shtoi më tej Tahiri.
Lidhur me themelimin e këtij instituti pati përplasje edhe në seancën plenare të Kuvendit më 7 tetor.
Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur deputetin Abelard Tahiri “deputet shurdhues” gjatë debatit për Themelimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
“Ju sapo treguat se ku e keni mendjen, te punësimet e militantëve. Vullnetin duhet ta bëjmë institucion. Në këtë Kuvend, në vitin 2013 janë aministuar. Prandaj s’keni kurrfarë legjitimiteti që të merrni fjalën dhe të flisni gjepura. Mjaft më. Mjaft më deputeti më shurdhues. Turp” – tha Kurti në fjalimin e tij.
Albin Kurti e quan Abelard Tahirin ‘deputeti më shurdhues i Kuvendit’